Britania drejt mbylljes totale/ Sot rekord infektimesh, nesër nis imunizimi me vaksinën e Oxford

03/01/2021 19:52

Në intervistën e parë televizive të 2021, kryeministri britanik Boris Johson, duke folur për BBC, më shumë u krijoi pikëpyetje sesa ua dha përgjigje audiencës.

Por ai e bëri mëse të qartë mesazhin për britanikët se kufizimet do bëhen akoma më të ashpra, për shkak të rritjes së infektimeve në vend, ku sot janë regjistruar 55 mijë raste të reja dhe gjatë gjashtë ditëve të fundit shifra ka qenë mbi 50 mijë, madje mendohet se rastet do të rriten akoma më shumë në javët e ardhshme.

Kjo situatë ka bërë që të dielën në mbrëmje, udhëheqësi i opozitës Sir Kier Stammer të kërkojë që lockdown-i kombëtar të vendoset brenda 24 orëve, pasi virusi ka dalë jashtë kontrollit.

E hëna, do të jetë e mbyllur për shkollat në mbarë vendin për disa javë, ndërkohë që do të jetë e hapur për 540 klinika dhe qendra shëndetësore për 530 mijë vaksinat e para të vaksines së Oksfordit dhe Astra Zenica-s.

Qeveria britanike shpreson që të vaksinojë rreth 2 milionë britanikë në javë, gjatë muajve të ardhshëm, si e vetmja mënyrë për mposhtjen e pandemisë, pasi masat kufizuese duket se nuk janë rezultative. Nga vaksina e Pfizerit deri më sot janë vaksinuar 1 milionë britanikë.

Top Channel