‘Last Christmas’, ngjitet në majat e klasifikimeve në Britani, 36 vite pas publikimit

02/01/2021 18:03

“Last Christmas” është ngjitur në majat e klasifikimeve në Britaninë e Madhe, për të parën herë, 36 vite pas publikimit të saj. Klasikja festive u transmetua 9.2 milionë herë gjatë javës së shkuar, duke u renditur në majë të klasifikimit.

E publikuar në dhjetor 1984, kënga e George Michael dhe Andrew Ridgeleyt, nuk arriti asnjëherë të renditej e para në klasifikime. Ridgley, tha se ishte i kënaqur që pas kaq shumë vitesh kënga ishte ngjitur në krye. “Fakti që kënga triumfon edhe pas 36 vitesh, përbën mbi të gjitha një testament për apelin dhe sharmin e saj që nuk cenohen nga koha”, tha ai.

Që kur kënga u publikua në 1984, ajo është rikthyer në 10-tëshen e parë plot gjashtë herë, por pa mundur të arrijë majën. Fansat kishin nisur një fushatë në 2017 që kënga të ngjitej në krye të klasifikimeve, për të shënuar përvjetorin e parë të vdekjes së George Michael, në ditën e krishtlindjes së një viti më parë.  Por, ajo mundi të ngjitej deri në vendin e dytë dhe u la pas nga Perfect, e Ed Sheeran.  Teksti i saj, po ashtu, ka frymëzuar damën Emma Thompson që të shkruajë filmin “Last Christmas”, që doli nëpër kinematë e botës vitin e kaluar.

Last Christmas ishte shkruar nga George Michael në dhomën e tij të fëmijërisë, në shkurt 1984 dhe siç është shprehur vetë ai, ishte kënga e preferuar e tij. Frymëzimi i kishte ardhur në moment, ndërsa këngëtari po ndiqte një ndeshje futbolli në shtëpinë e prindërve të tij në Hertfordshire.

 

Top Channel