Festat e paligjshme/ Në Francë 2500 persona shkelën rregullat

02/01/2021 12:24

Më shumë se 2500 persona kanë marrë pjesë në një festë të paligjshme në Francë ndërsa vendi vazhdon të përballet me shifra të larta infektimesh. Eventi i mbajtur në një magazinë, në Lieuron, afër Renës, në Bretanjë, nisi të enjten dhe vazhdon ende.

Një numër pjesëmarrësish janë nga Britania e madhe dhe Spanja – tha policia. Pjesëmarrësit janë përleshur me policinë, i kanë vënë zjarrin një makine dhe kanë qëlluar oficerët që përpiqeshin të ndalinin eventin, me objekte të forta. Të paktën tre oficerë policie janë plagosur.

Një deklaratë nga autoritetet lokale tha se policia ishte përpjekur të pengonte këtë event por ishte përballur me agresivitetin e shumë pjesëmarrësve në festë.

Një nga pjesëmarrësit tha për agjencinë e lajmeve AFP se shumë pak ishte respektuar distancimi social në event.

Një numër personash flinin në makinat e tyre dhe më pas ktheheshin të kërcenin – raporton Le Monde. Disa pjesëmarrës thanë se planifikonin të qëndronin deri të dielën ndërsa të tjerë shpresonin që festa të vazhdonte deri të martën. Një pjesëmarrës tha për Le Monde se festa ishte e mirëorganizuar, me stenda ushqimi brenda saj. Të premten në mbrëmje, ministri i brendshëm Gerald Darmanin zhvilloi një takim emergjence për të diskutuar për eventin. Ai tha se të gjitha rrugë daljet e makinave ishin bllokuar dhe më shumë se 200 persona kishin marrë paralajmërime verbale nga policia. Franca vendosi rregulla strikte para vitit të ri përfshirë një ndalim qarkullimi nga ora 20.00 deri në orën 6.00.

Më shumë se 100 mijë oficerë policie ishin dislokuar në të gjithë vendin për të ndalur festat dhe për të mbikëqyrur respektimin e rregullave. Franca ka regjistruar më shumë se 2.6 milionë raste koronavirusi dhe 64.892 viktima që nga fillimi i pandemisë.

Top Channel