Rrahman Hallaçi shprehu keqardhjen në “Gol pas Goli” për mënyrës se si e mbylli Kukësi vitin 2020, me dy humbje të rënda përballë Partizanit dhe Teutës. Pasuesi i Gegës u ankua për dy penallti të padhëna.
“Më vjen keq që pas ndeshjes me Partizanin vjen dhe kjo humbje që nuk e meritonim. Ishte e patolerueshme kjo humbje. Duhet të pranojmë situatën, jemi profesionistë. Më vjen keq, sepse po shfaqeshim keq me 3 mbrojtës dhe kaluam në 4 pastaj. Me vjen keq që një skuadër si Kukësi të pësojë këto humbje. Ne do t’i pranojmë vendimet e drejtuesve.”
Sistemi i lojës: “Kemi bërë edhe më parë rotacione. Nuk mund të them se mungoi Bytyçi dhe morëm humbje. Menduam se është një sistem që sulmojmë më shumë dhe mbrohemi njëkohësisht. Ndryshova sistemin për të menduar për sulmin dhe mbrojtjen. Kur kaluam në mbrojtjen me 4 pësuam 3 gola.”
Penalltitë e mohuara: “Nuk jam këtu për t’u justifikuar. Pjesa ime është diçka tjetër. Mund të na kishte dhënë penallti në minutën e 6-të, pasi ishte. Edhe rasti i Ezesë është penallti, nuk ka nevojë të diskutojmë këto raste. Arbitri ishte aty dhe kur e shikon që është ndërhyrje nga pas, është menjëherë penallti. Më vjen keq që nuk u dhanë.”
Gabimet e lojtarëve: “Portierit Tafas i kam thënë që në presion ta dërgojmë topin sa më larg. I kam thënë edhe mbrojtësve që sa herë jemi në presion ta largojmë topin, nuk duhet ta mbajmë të rrezikojmë. Përgjegjësia është e të gjithëve nuk mund të akuzojmë lojtarët.”
Top Channel