Vaksinohet Kamala Harris/ Zv-presidentja e ardhshme e SHBA mori vaksinën e Moderna

30/12/2020 01:55

Zëvendespresidentja e zgjedhur e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, u bë politikania e fundit amerikane që mori vaksinën kundër koronavirusit. Harris mori vaksinën e krijuar nga kompania Moderna, ndërsa ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në televizion.

‘Nuk e ndjeva fare. Dua t’i inkurajoj të gjithë që të marrin vaksinën, është relativisht pa dhimbje, është e sigurt. Unë kam besim te shkencëtarët’- tha Kamala Harris.

Disa politikanë amerikanë, përfshirë presidentin e zgjedhur, Joe Biden, nënpresidentin Mike Pence dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi janë vaksinuar tashmë. Biden dhe Harris do ta marrin detyrën në 20 janar dhe po përpiqen të krijojnë besim tek imunizimi. Dy vaksina, njëra nga Moderna dhe tjetra nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech, janë aktualisht duke u shpërndarë në të gjithë SHBA-në, pasi ato janë miratuar nga rregullatorët shëndetësorë.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi. Afro 20 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 335,000 kanë vdekur. Në të gjithë botën, koronavirusi ka infektuar mbi 81 milionë njerëz e ka marrë 1.7 milion jetë.

Top Channel