Top Talk: Një udhëtim telegrafik me Arben Manajn në disa prej ngjarjeve të 2020-ës në botë

30/12/2020 17:41

Arben Manaj, ekspert i analizës për çështjet ndërkombëtare ka ndarë në “Top talk’ analizën e tij politike për vitin që po lemë pas.

Kryefjala e 2020-ës është pandemia dhe në fund të vitit bota po lufton për të marrë sa më parë vaksinën. Britania e Madhe ishte e para që aprovoi vaksinën kundër koronavirusit në dhjetor dhe është gati të marrë dozën e dytë. Korrespondenti i Top Channel në Britani raporton situatën: “Sot filloi faza e dytë, ku e njëjta 90 vjeçare ka marrë  dozën e dytë. Unë mendoj se bota është më pranë daljes nga pandemia”.

Madje, në Britani po diskutohet një bashkëpunim i mundshëm i Britanisë me Rusinë, me dy vaksinat që vendet kanë shpikur, për të arritur më shumë efektivitet. “Është konfirmuar nga Astra Zenica dhe Oxford, mendohet të fillojë eksperimentimi që javën e ardhshme. Do të bëhet në Rusi te shtetasit mbi 18 vjeç. Mendohet që të dyja vaksinat kanë një gjë të përbashkët, qasja që kanë me kodin gjenetik. Dy vaksina mund të jenë më mirë se një”.

Në përballje me një virus të panjohur më parë, njerëzit ngritën shumë dyshime madje dhe konspiracione. Në Shqipëri akoma ka shumë qytetarë që nuk besojnë se koronavirusi ekziston. I pyetur në lidhje me këtë, Manaj citon një profesor anglez: “Njerëzit që merren me konspiracionin kapen vetëm pas një grimce të së vërtetës dhe e hedhin atë dhe e hiperbolizojnë derisa e kthejnë qesharake”.  Ai thotë se konspiracione ka edhe ne Britani, por ndryshimi është se këtyre njerëzve, Anglia nuk u jep hapësirë mediatike.

Një ndër ngjarjet më të përfolura këtë vit ishte gara presidenciale në SHBA. Trump humbi zgjedhjet presidenciale. Sipas gazetarit të BBC, bota pa presidentin Trump do të jetë më e qetë: “Bota pa Trump do të jetë, më pak qesharake, më e stabilizuar, më pranë normales  dhe ndoshta do të rivendosen disa marrëdhënie të shkëputura nga qeveria e Trump”.

Nga ana tjetër, zgjedhja e Joe Biden si presidenti i 46-të i Amerikës, Manaj e konsideron lajmin më të mirë të 2020-ës. “Është lajmi më i mirë sepse do të kemi një rikthim drejt normalitetit në politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare dhe Amerika do të rimarrë pozicionin e vendit më të fuqishëm në botë. Do të rregullojë shumë raporte të cënuara, përfshi këtu Ballkanin, Britaninë dhe BE. Ndoshta i pakënaqur mund të jetë vetëm Putin”.

Po gjatë presidencës së Trump u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë marrëveshja që midis kryeministrit të Kosovës, Avdulla Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si një plan që do të sillte paqen dhe njohjen reciproke midis vendeve. Për Arben Manaj, marrëveshja nuk do të sjellë rezultat psi u bë vetëm për imazhin e Trump:

Unë e kam thënë që një marrëveshje e mundshme do të ishte një PR për fuashatën e Trump dhe ashtu rezultoi. Ku është sot kjo marrëveshje, ku janë diplomatët amerikanë. Mua më vjen keq që politika shqiptare gjunjëzohet para çdo administrate pa ruajtur dinjitetin kombëtar dhe pa ruajtur interesat kombëtare. Unë mendoj që administrata e Trump ka qenë organizata më jo-shqiptare dhe pro serbe që ka ekzistuar në Shtëpinë e Bardhë”.

Ballkani u trondit këtë vit nga përplasjet midis Greqisë dhe Turqisë. Gazetari thotë se është normale për sa kohë ka interesa midis vendeve: “Është një përplasje normale midis dy vendeve që kanë interesa ekonomike. Dyshohet se ka lendë djegëse në Mesdhe, kështu që është normale që të ketë konflikt. Shpresoj që kjo situatë të mos kalojë në konflikt të armatosur pasi do të ishte e rëndë për NATO-n, por nuk mendoj se do të arrijmë në atë pikë”.

Në fakt, Greqia ishte mjaft aktive për të mbrojtur interesat e saj. Pretendon se do të shtrijë hapësirën e saj detare në 12 milje duke cënuar Shqipërinë . Çështja ka kaluar në Gjykatën Kombëtare, por sipas Manaj grekët janë më të përgatitur se shqiptarët në gjykatë dhe Shqipëria duhet të reagojë më shumë.

Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europa ishte një nga ngjarjet më të kritikuaar. Vetë korrespondeti ka qenë kundër por argumenton pse Britania do të përfitojë më shumë nga Brex-it.

Pavarësisht se kam qenë kundër Brexit, shpresoj që Britania e Madhe të ketë më shumë hapësirë në vendosjen e marrëdhënieve tregtare me vendet e tjera, me ekonomi të zhvilluar, duke anashkaluar Brukselin edhe si treg por edhe si procedurë dhe burokraci.

Kur Britania u fut në BE, BE-ja përbënte 35% të ekonomisë botërore, flitet se shumë shpejt mund të shkojë në nivelin e 5%. Bota zhvillohet tani në Lindjen e Largët, Brazil, Indi e kështu me radhë. Britania e Madhe si vendi ku ka lindur kapitalizmi i ka kaq aftësi sa të dijë të zhvillojë ekonominë e vet.

Unë shpresoj që BE të arrijë të vetëkorrigjohet, pasi po funksionon si etnitet i vjetëruar në mentalitet dhe procedurë. Marrim rastën e vaksinës, shikoni burakracinë e BE krahasuar me Britaninë. Në 8 dhjetor e miratoi Britania e Madhe, para dy ditësh Europa. Nëse Britania ka arritur tu shpëtojë jetën 1 milionëve, të njëjtën gjë mund të kishte bërë dhe Europa”.

Për vitin e ri, Manaj mendon se pandemia do të mbarojë, bota do të jetë më e paqtë por sfida kryesore do të jetë ekonomia.

 

Top Channel