Rrëzimi i avionit të pasagjerëve/ Irani i paguan $150,000 familjeve të viktimave (video)

30/12/2020 19:34

Irani do të paguajë $150,000 familjeve të secilës nga 176 viktimat e rrëzimit aksidental të avionit ukrainas nga artileria e Gardës Revolucionare në janar.

Avioni fatkeq i linjave Ukraine International, tip Boeing 737 u godit nga dy raketa pak pasi ishte ngritur nga aeroporti i Teheranit.

Ngjarja aksidentale ndodhë në kohë tensionesh të larta ushtarake, pak pasi Irani kishte sulmuar me raketa bazën amerikane në Irakun fqinj, në kundërpërgjigje të vrasjes nga SHBA të gjeneralit Qasem Soleimani pranë Bagdadit.

Teherani e quajti aktin një “gabim katastrofik” të Gardës Revolucionare.

Viktimat përfshinin 82 iranianë, 63 kanadezë, 11 ukrainas megjithë anëtarët e ekuipazhit, katër afganë, katër britanikë dhe tre gjermanë.

Sistemet mbrojtëse iraniane ishin asokohe në alarm prej sulmeve të mundshme nga baza amerikane në Bagdad.

Qeveria e Iranit tha sot se do të paguajë kompensimin “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Teherani ka dërguar raportin e tij mbi aksidentin te vendet që po e hetonin – Ukraina, SHBA, Franca, Kanadaja, Suedia, Britania e Gjermania.

Vendet u ankuan se në raportin iranian mungonin emrat e përgjegjësve për sulmin apo dhe arsyet përse hapësira ajrore nuk ishte mbyllur natën e 8 janarit.

Në raport thuhej gjithashtu se bateria e raketave nuk kishte arritur të komunikonte me qendrën e komandës dhe kishte qëlluar pa marrë aprovimin final.

FOTO GALERI
2/5
Teherani e quajti aktin një "gabim katastrofik" të Gardës Revolucionare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA