Rekord në Gjermani/ Regjistrohet numri më i lartë i vdekjeve ditore nga COVID-19

30/12/2020 10:45

Gjermania gjatë 24 orëve të fundit ka raportuar 1.129 viktima të tjera nga koronavirusi i ri (COVID-19), shifër më e lartë ditore që nga shpërthimi i pandemisë.

Sipas agjencisë gjermane të kontrollit të sëmundjeve, vendi po ashtu regjistroi 22.459 raste të reja të koronavirusit, nga 12.892 të regjistruara një ditë më parë. Sipas të dhënave nga autoritetet gjermane, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në vend është mbi 1.68 milionë, ndërsa numri i të vdekurve 32.107.

Instituti Robert Koch (RKI) paralajmëroi për nivelet e larta të transmetimit të virusit, por tha se shifrat e fundit duhet të interpretohen me kujdes për shkak të raportimit të vonuar gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Bllokimi në mbarë vendin, që u imponua më 16 dhjetor, ka ndihmuar në parandalimin e një rritjeje eksponenciale të infeksioneve të reja, por mesatarja e shtatë ditëve të fundit qëndroi në rreth 18 mijë raste në ditë. RKI theksoi se infeksionet e reja midis të moshuarve janë rritur javëve të fundit dhe kanë çuar në një rritje ë numrit të rasteve serioze dhe vdekjeve.

Nga të gjitha vdekjet e regjistruara, 27.305 (88 për qind) janë mbi moshën 70-vjeç. Gjermania renditet vendi i pestë më i prekur nga koronavirusi në Evropë, pas Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Spanjës.

Top Channel