Panik nga tërmeti edhe në Slloveni/ Deputetët u larguan me vrap nga Parlamenti

30/12/2020 02:44

Tërmeti i fuqishëm i magnitudës 6.4 që goditi Kroacinë, është ndjerë edhe në Slloveni. Lëkundjet e tokës ndodhën në kohën kur po zhvillohej një seancë parlamentare. Të trembur, deputetet në sallë çohen nga vendi dhe largohen me vrap.

Kompleksi bërthamor Krsko në Slloveni u mbyll si masa paraprake pas tërmetit në Kroacinë fqinje. Centrali atomik ndodhet në një zonë kufitare shumë pranë saj. Ai u ndërtua në vitet 70` dhe operacionet i nisi në 1982-shin, kur dy vendet ishin ende pjese e ish-federatës jugosllave.

Sizmologu kroat Krešimir Kuk e përshkroi tërmetin si më të fuqishmin e këtij viti në vend. Ai i paralajmëroi njerëzit t`i qëndrojnë larg godinave të pasigurta dhe ndërtesave të vjetra, duke i kërkuar të zhvendosen në zonat më të reja të qytetit.

Lëkundjet e tokës mësohet te jenë ndjerë edhe në Graz të Austrisë. Si vend mesdhetar, Kroacia është prekur nga tërmetet, por ata të mëdhenjtë janë të rrallë. I fundit i përmasave të ngjashme ishte i vitit 1990, kur qyteti bregdetar Ston u dëmtua rëndë nga lëkundje të magnitudës 6.0.

Top Channel