Larmia etnike në Xhorxhia dhe gara për Senatin amerikan

30/12/2020 04:36

Komuna Gwinnett ndodhet rreth 25 km në verilindje të Atlantës dhe është një ndër lagjet periferike më të populluara të qytetit më të madh të Xhorxhias. Në nëntor, demokrati Joe Biden siguroi 58% të votave në këtë komunë duke e ndihmuar të siguronte fitoren e ngushtë në këtë shtet.

30 vjet më parë kjo ishte një komunë kryesisht rurale dhe bazë e fortë e republikanëve. “Atlanta ishte kryesisht afrikano-amerikane dhe votonte për demokratët, por periferitë në atë kohë kishin shumicë të bardhë dhe votonin për republikanët,” thotë për Zërin e Amerikës Nick Masino, president i Dhomës Tregtare të komunës. “Tani çdo gjë ka ndryshuar”. Afro dy muaj pasi zoti Biden u bë demokrati i dytë që fiton në Xhorxhia që nga viti 1980, ky shtet mbetet në qendër të vëmendjes ndërkohë që afron balotazhi për dy vende në Senat. Kontrolli i Senatit varet nga fituesit e këtyre dy vendeve.

Dy senatorët republikanë të këtij shteti, David Perdue dhe Kelly Loeffler, po përpiqen të ruajnë vendet përballë një konkurrence të fortë nga rivalët demokratë Jon Ossoff dhe pastori Raphael Warnock. Deri tani për fushatë janë shpenzuar mbi 500 milionë dollarë. Nëse demokratët fitojnë të dyja vendet, senati do të jetë i ndarë 50 me 50 mes demokratëve dhe republikanëve. Në atë rast, nënpresidentja e zgjedhur, Kamala Harris do të hedhë votën vendimtare kur një çështje mbetet pezull. Nëse fiton ndonjëri prej kandidatëve republikanë, atëherë republikanët do të kenë shumicën me të paktën 51 nga 100 vendet në Senat. Një vëmendje e madhe i është kushtuar kësaj gare.

Presidenti Trump dhe Presidenti i Zgjedhur Biden kanë shkuar për të bërë fushatë për palën e tyre. Por analistët shpjegojnë se në këtë shtet politika ka plot të veçanta që mund të mos i kuptojnë ata që nuk jetojnë në Xhorxhia. “E dimë që po na ndjekin në këto momente, por nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë se çfarë po ndodh këtu,” thotë zoti Masino. “Ky shtet ka ndryshuar aq shumë gjatë dekadave të fundit saqë nuk është më Xhorxhia që e mendojnë njerëzit. Ky është tani një shtet shumë i larmishëm. Vështirë të gjesh në botë një vend të tillë dhe kjo do të ndikojë në zgjedhje”.

Zhvendosje Politike
Vetëm disa kilometra në perëndim të komunës Gwinnett është komuna Cobb, një tjetër periferi e qytetit të Atlantës. Kjo komunë është dyfishuar që nga vitet 1990 dhe ka tani mbi 760,000 banorë. Ashtu si komunat e tjera, ajo ka pësuar ndryshime të paimagjinueshme që në vitet 2000. “Kur u vendosa këtu në 2007, konsiderohej bazë e konservatorëve,” thotë për Zërin e Amerikës Dr. Andrew Pieper, pedagog i shkencave politike në Universitetin Shtetëror Kennesaw. Zhvendosja politike shihet në rezulatet e zgjedhjeve presidenciale gjatë dy dekadave të fundit. Në 2004, Presidenti George Bush fitoi me një diferencë prej më shumë se 32% përballë rivalit John Kerry në komunën Gwinnett. Tetë vjet më pas, Presidenti demokrat Barack Obama e ngushtoi fitoren e rivalit republikan në 9%.

Në 2016, demokratja Hilary Clinton mundi republikanin Donald Trump me afro 6% diferencë në komunën Gwinnett, megjithëse zoti Trump arriti fitore në shtetin e Xhorxhias.Në nëntor 2020, demokrati Biden mundi Presidentin Trump me një diferencë prej 18% në këtë komunë dhe fitoi në Xhorxhia me një diferencë prej 12,000 votash. Para fitores së zotit Biden, Bill Clintoni ishte demokrati i fundit që fitoi zgjedhjet presidenciale në këtë shtet në garën e vitit 1992. Situata në komunën Cobb është e ngjashme. Cilët janë faktorët që kanë shkaktuar këtë zhvendosje politike? Përgjigja gjendet në ndryshimet demografike të zonës:

Revolucion Demografik
Xhorxhia e sotme nuk ka shumë të përbashkëta me Xhorxhian e disa dekadave më parë që mbante në fuqi një numër ligjesh të diskriminimit racor për afro një shekull pas Luftës Civile. Por banorët e kanë të qartë se ata që nuk jetojnë në Xhorxhia mund të ruajnë ende përshtypjet e vjetra: “Njerëzit na mendojnë se jemi racistë, por nuk është ashtu,” thotë zoti Masino. “Ne që jetojmë në zonën metropolitane të Atlantës kemi rrotull njerëz të racave të tjera. Shkojmë bashkë në kishë, shkojmë në shkollë së bashku, punojmë së bashku. Gjërat kanë ndryshuar. Mendoj se shumica prej nesh e vlerëson rëndësinë e kësaj larmie”.

Sipas zotit Masino, ndryshimet u intensifikuan pasi Atlanta organizoi Lojërat Olimpike të 1996. Xhorxhia u angazhua fuqimisht për të tërhequr kompani të huaja dhe si rezultat mbi 3000 kompani ndërkombëtare operojnë sot në këtë shtet. “Familje imigrante filluan të shohin njerëz nga vendet e tyre që punonin e jetonin në periferitë e Atlantës, që ishin të mirëpritur këtu, mund të gjenin punë e shkolla të mira. Si rezultat edhe të tjerë filluan të vijnë,” shpjegon zoti Masino. Aktualisht zona metropolitane e Atlantës ka mbi 51,000 imigrantë koreanë dhe 44,000 vjetnamezë; 31,000 imigrantë nga India dhe Pakistani si dhe 13,500 nga Kina.

“Dikur për Atlantën mendohej si zonë bardh e zi. Ky ishte realiteti 30 vjet më parë, por tani kemi komunitetin e katërt më të madh të Amerikës së Veriut të imigrantëve me origjinë nga Koreja”. Komuna Gwinnett, e cila në 1990 ishte 90% e bardhë, ka sot në përbërjen demografike vetëm 30% të bardhë, sipas Dhomës së Tregtisë. Shumica e banorëve të komunës janë pjesëtarë pakicash: 32% afrikano-amerikanë, 26% hispanikë dhe 12% aziatikë. Një ndër katër banorë të komunës kanë lindur në një vend jashtë Shteteve të Bashkuara. Larmia racore po shtohet në këtë zonë. Edhe komuna Paulding, e cila në vitin 2018 kishte 75% të bardhë, pasqyron këtë prirje të ndryshimeve demografike, pasi në vitin 2000 kishte 91% të bardhë në popullatë.

Për shumë nga ata që vendosen tani në zonë, larmia racore është shumë tërheqëse. Liz Mace Neider u vendos në një periferi të Atlantës katër vjet më parë, kur firma e bashkëshortit hapi një zyrë në këtë qytet. “Kur u vendosëm këtu më bëri përshtypje larmia e popullatës,” thotë Liz, e cila është pjesërisht me prejardhje nga Koreja por ka lindur në SHBA. “Një nga fqinjët ishte i bardhë i lindur në SHBA, një tjetër nga Hondurasi, një nga Kolumbia, ndërsa pronari i shtëpisë ku jetojmë ishte nga Hong Kongu. Nganjëherë të duket e vështirë të gjesh njerëz që janë lindur e rritur në Atlanta”.

Përpara një Zgjedhjeje
Balotazhi i Xhorxhias për dy vendet e Senatit po tërheq vëmendje të madhe. Ka plot hamendësi mbi ndikimin e ndryshimeve demografike në rezultatin e zgjedhjeve. “Jo të gjithë grupet etnike votojnë si bllok elektoral. Por zakonisht larmia racore e etnike është në favor të demokratëve,” thotë zoti Masino. “Këto periferi shumetnike ndihmuan zotin Biden drejt fitores, por nuk është e lehtë të parashikohet nëse do të ketë pjesëmarrje aq të lartë në garën për Senat”. Tani që Presidenti Trump nuk është në garë, ka gjasa që votimet të mos reflektojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, thotë zoti Pieper.

“Vështirë të parashikosh fitore të demokratëve, pasi nuk është e sigurtë se demokratët do të arrijnë të mobilizojnë pjesëmarrjen e nevojshme,” thotë pedagogu. Anketat tregojnë një garë të paparashikueshme. Dontaye Carter është drejtor për komunikimin në shoqatën Demokratët e Komunës Fulton, pranë Atlantës. Javën e kaluar, ai foli me votuesit në një aktivitet për grumbullim lojrash dhe ushqimesh për familjet në nevojë. Zoti Carter, afrikano-amerikan, u vendos në këtë zonë tetë vjet më parë. Ai thotë se shpreson që banorët do të marrin pjesë në masë në votime, ashtu siç dolën në zgjedhjet e 3 nëntorit. “Votuesit në këtë zonë ndihmuan për të larguar nga Shtëpia e Bardhë presidentin dhe disa prokurorë të zonës. Ata patën ndikim në një numër garash,” tha zoti Carter. “Mendoj se banorët në këto lagje kanë filluar të kuptojnë se sa me vlerë është vota e tyre, sa ndikim ka zëri i tyre kur votojnë”./VOA

Top Channel