Era e fortë ka shkëputur statujën e Redonit, perëndisë ilire të deteve dhe ujërave.
Statuja ndodhet në sheshin në hyrje të shëtitores bregdetare “Taulantia”. Simbol i fuqisë dhe përkatësisë pellazgo-ilire, statuja e Redonit, e realizuar nga skulptori Ilirjan Xhixha është shkëputur nga bazamenti i saj për shkak të erës së fortë që ka përfshirë që nga mbrëmja e kaluar Durrësin.
Redoni, hyu i deteve dhe ujërave në mitologjinë ilire, emrin e të cilit mban dhe Kepi i Rodonit, është provë e autoktonisë shumë të lashtë të ilirëve. Sipas studiuesve, hyjnitë e ujërave janë nga më të hershmet në mitologji, pasi lidhen me elementin kozmogonik të ujit në gjenezën e botës dhe njeriut, etnogjenezës së ilirëve dhe shqiptarëve.
Kjo vepër, e cila tashmë do restauruar dhe bashkuar me pjesën tjetër, nga e cila u shkëput ka kushtuar 29.8 milionë lekë. Ajo u vendos verën e vitit të kaluar në një nga sheshet kryesore dhe më të frekuentuara të qytetit, por moti i keq e dëmtoi veprën simbolike që zgjon ndërgjegjen dhe kujtesën historike për qytetin dhe ngjalli mjaft interes dhe te vizitorët e huaj e vendas.
Top Channel