Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishte ditën e sotme e ftuar në emisionin “Top Talk” në Top Channel, ku foli rreth situatës aktuale të Covid-19 dhe vaksinës, e cila pritet të vijë në Shqipëri në vitin 2021.
Sipas ministres, situata paraqitet e qëndrueshme si në numrin e rasteve të reja, por edhe në shtrimin e pacientëve në spital.
E pyetur nëse situata në vendin tonë ka qenë e rëndë, e lehtë apo e moderuar, Manastirliu u shpreh se “vlerësimi i pandemisë nuk bëhet me klasifikim bazik i rënduar apo i moderuar”.
“Do të thosha se vlerësimi i pandemisë nuk bëhet me klasifikim bazik, pasi pandemia vlerësohet mbi baza dinamike, dhe këtë e kanë vendosur të gjitha qeveritë. Sipas OBSH-së, në Shqipëri nëse do të krahasonim, ka 400 persona që kanë ndërruar jetën për 1 milionë banorë. Jemi në një nivel të pranueshëm, jemi shumë më pak se sa mesatarja e rajonit dhe ajo evropiane. Po do luftojmë deri në fund këtë pandemi dhe të shmangim fatalitetet.
Të kemi sa më shumë mundësi për të izoluar rastet e dyshuara, në mënyrë që të shkëpusim zinxhirin e përhapjes së Covid-19. Gjithashtu duhet të trajtojmë sa më shpejt rastet e reja dhe të shpëtojmë jetën e pacientëve. Por fatkeqësisht ka edhe fatalitete që për ne janë të dhimbshme”, tha ministrja e Shëndetësisë.
Manastirliu u shpreh se fatmirësisht janë me mijëra jetë të shpëtuara në strukturat tona të shëndetit publik dhe ne duhet të ndihemi krenarë.
“Bluzat e bardha po sakrifikojnë pa masë, janë 10 muaj jo vetëm të lodhshëm, por në këtë rast ky nuk ka qenë një periudhë e lehtë për t’u përballuar”, tha ministrja.
Ndërkohë e pyetur në lidhje me vaksinën, Manastirliu u shpreh se janë duke punuar në disa drejtime.
“Ne si qeveri kemi financuar për ta blerë vaksinën, për 20 për qind të popullatës. Nuk e kemi ndalur punën, jemi afër një marrëveshje me Pfizer dhe Moderna që procesi i vaksinimit të vijë sa më shpejt. Grupet prioritare janë ata që janë në frontin e parë, e më pas me personat mbi 70 vjeç e me radhë”, tha ajo.
Top Channel