Christian Eriksen nuk ishte në dispozicion të trajnerit Antonio Conte për transfertën e djeshme ndaj Veronës, pasi klubi vendosi t’i japë lejë të fluturojë drejt Danimarkës, për të qëndruar pranë bashkëshortes, që po sillte në jetë fëmijën e tij.
Megjithatë aventura e fantazistit danez me zikaltrit mund të quhet e përfunduar, pasi edhe vetë Administratori Giuseppe Marotta pranoi se Eriksen nuk ka arritur të përshtatet dhe se është nxjerrë në shitje nga klubi.
“Mund të pranoj se Eriksen është në merkato dhe do të vlerësojmë të gjithë ofertat për të. Për fat të keq nuk ia doli të ambientohej me kampionatin dhe kërkesat e trajnerit, por kjo nuk vë aspak në dyshim aftësitë e tij të jashtëzakonshme”, u shpreh Marotta.
Edhe trajneri Conte pas ndeshjes la të kuptohej se bashkë me klubin kanë vendosur të shesin danezin, për ta afruar një tjetër futbollist në mesin e fushës, ndonëse u tregua i rezervuar të përmendë emra.
“Unë nuk favorizoj asnjë prej futbollistëve, por vendimet se kush do të luajë e kush jo, i marr vetëm në të mirë të klubit. Bashkë me drejtuesit kemi bërë vlerësimet tona dhe sigurisht që në fund kemi marrë një vendim të përbashkët, të cilin ia paraqesim shoqërisë, pasi në fund është ajo që vendos. Edhe këtë herë kemi bërë vlerësimet tona në tërësi dhe presim që shoqëria të na mbështesë”, tha Conte.
Top Channel