Italia raportoi 533 viktima të reja të koronavirusit të mërkurën, një rënie kjo nëse krahasohet me një ditë më parë kur u raportuan 628 jetë njerëzish të humbura.
Por, sidoqoftë, shifra e të mërkurës ka bërë që bilanci total, që nga fillimi i pandemisë, të kapërcejë tani pragun e 70 mijë viktimave. Infektimet e reja në 24 orët e shkuara ishin 14522.
Italia bëhet kështu vendi i pestë në botë që kapërcen 70 mijë viktimat, me një total prej 70395 jetësh të humbura, bilanci më i rëndë ky në Evropë. Vendi po ashtu ka regjistruar 1.991 milionë raste deri më sot. Kryeministri i vendit, Giuseppe Conte ndërkohë, thotë se falë masave anti covid gjatë festave, në janar, masat shtrënguese do të jenë më të shënjestruara.
Por në rast të një vale të tretë, apo një varianti që do të çojë në rritjen e infektimeve, Italia mund ta gjejë veten e gjitha zonë e kuqe, ose me masa më shtrënguese. Ai shprehet optimist për rifillimin e shkollës në janar, me prani fizike në shkollat fillore ndërkohë që flet për një hapje të diferencuar të rajoneve.
Top Channel