Presidenti miratoi emërimin e Përparim Kalos i cili me këtë vendim plotëson karrigen e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese të mbetur vakant pas largimit të Besnik Ymerajt.
Emri i Përparim Kalos së bashku me Aleksandër Tomën u përcollën brenda ditës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ku dhe presidenti zgjodhi njërin prej tyre. Por ndërkohë gara për vendin e shtatë drejt gjykatës Kushtetuese vazhdon të ekspozojë njëanshmërinë e KED.
Për profesoreshën Zhaklina Peto e cila synon mandatin nëntë vjeçar dhe karrigen e shtatë të mbetur bosh pas shkarkimit të Besnik Muçit, KED doli me një vendim në të cilin nuk ka asnjë vendim. Në njoftimin zyrtar nuk thuhet as që lejohet kandidimi i mëtejshëm i Petos që garon së bashku me noteren Sonila Bejtja dhe as që ndalohet kandidimi i saj.
Shprehimisht KED njofton përfundimin e procedurës së verifikimit vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidaturës së kandidates Zhaklina Peto, për shkak të tërheqjes nga kandidimi për gjyqtar në gjykatën Kushtetuese.
Top Channel kontaktoi profesoreshën Peto e cila e befasuar nga vendimi që flet për dorëheqjen edhe pse kjo dorëheqje nuk ishte formalizuar u shpreh:
“Jam e befasuar. Unë i paralajmërova se do ta konsideroja dorëheqjen në rast se do vazhdonin me këtë paligjshmëri duke shkelur nenin 6 të konventës të të drejtave të njeriut. Por siç duket vetë KED paska qenë në paligjshmëri dhe ka bërë këtë veprim”.
Zhaklina Peto fitoi dy herë në gjykatë kundër KED, e cila pasi skualifikoi disa kandidatë la në garë vetëm noteren Sonila Bejtja , dhe diçka e tillë u vlerësua nga të skualifikuarit si e qëllimshme dhe e paracaktuar.
Top Channel