Fati shpëton emigrantët/ Digjet i gjithë kampi, asnjë i lënduar

23/12/2020 14:46

Flakët gllabëruan një qendër emigrantësh në Bosnjën veriperëndimore ku ishin strehuar rreth 1.200 persona, por për fat, nga incidenti në kampin Lipa të ndodhur rreth 30 kilometra nga qyteti i Bihaçit, nuk pati asnjë të lënduar.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Ale Shiljdedic, zëdhënës Policisë në Kantonit Una-Sana. Zjarri shpërtheu pasi përfaqësuesit e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) filluan tërheqjen e stafit nga kampi duke njoftuar se ata do të ndalonin të gjitha shërbimet që u kishin ofruar emigrantëve gjatë tetë muajve të fundit.

Natasha Omerovic, menaxherja e kampit, u shpreh se zjarri përfshiu shumë shpejt katër çadrat në të cilat ishin vendosur emigrantët, por tha se të gjithë ishin evakuuar. IOM e kishte shtyrë disa herë mbylljen e kampit, që u hap në 21 prill  dhe ishte planifikuar fillimisht për akomodimin e emigrantëve meshkuj. Atyre nuk u ofrohet strehim alternativ. Kombet e Bashkuara në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) kanë shprehur vazhdimisht shqetësim për mungesën e kushteve në këtë kamp të përkohshëm.

Vetëm dy ditë më parë, BE-ja ishte shprehur “e alarmuar” për gjendjen e emigrantëve në Bosnjë, të cilët sipas saj janë mjaft të rrezikuar në këtë kohë dimri, kur nuk kanë qasje në nevojat më bazike si strehimi, uji dhe ngrohja.

Top Channel