Cilët janë zyrtarët e lartë grekë që do të marrin vaksinën e COVID

23/12/2020 19:33

Autoritetet shëndetësore në Greqi kanë publikuar listën me 45 zyrtarët e lartë grekë që do të vaksinohen në fillim prej datës 27 dhjetor deri në 10 janar, dita kur do të ketë përfunduar faza e parë e vaksinimit  kundër koronavirusit për 70000 persona.

Siç behet me dije në kuadrin e planit kombëtar, do të vaksinohen të parët në datën 27 presidentja e Greqisë Sakelaropoulou dhe kryeministri Mitsotakis .

Me pas bien në sy emrat e kryetarit të parlamentit , ministrit të Jashtëm dhe zëvendësve të tij, ministrit të Mbrojtjes, të Rendit dhe Shëndetësisë me zëvendësit e tyre si dhe një pjesë e personelit që ka përparësi për funksionimin e qeverisë, zyrtare nga organizmi kombëtar i shëndetësisë, nga organet policore dhe ushtarake.

Në ditët në vazhdim përparësi kanë personeli shëndetësor, ai i shërbimeve sociale, të moshuarit në azile apo qendra shëndetësore.

“Bëhet fjalë për një operacion shëndetësor, I quajtur “ Liria” që asnjëherë në të kaluarën nuk është organizuar në ketë nivel, me ketë limit kohor dhe në të gjithë popullsinë e vendit. Asnjëherë në shkallë botërore nuk është realizuar një përpjekje e tillë.

Specialistët ndjekin ende me shqetësim numrin e vdekjeve nga Covid -19 që mbetet i lartë. 62 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, ndërsa numri i rasteve, vërtet është ulur, por jo në nivelin që pritej. Janë regjistruar gjatë ditës së martë 937 të prekur dhe 495 të intubuar.

Nga Selaniku që u godit shumë rëndë gjatë muajit të kaluar vjen një rreze shprese pasi sipas analizave të fundit  ngarkesa epidemiologjike është zvogëluar me 50%.

Por duke parë ditët e fundit  lëvizjen e madhe të njerëzve në qendër të qyteteve të mëdha, me apo pa automjete, qeveria dhe specialistët bëjnë thirrje për kujdes të jashtëzakonshëm gjatë festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, duke kërkuar që maksimumi në një tryezë familjare në mesditë të mblidhen vetëm dy familje deri në 9 persona, ndërsa do të vazhdojë të jetë në fuqi ora policore nga ora 10 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit.

Për herë të parë në Greqi janë ndaluar fëmijët të shkojnë në shtëpitë e lagjeve dhe të afërmve për të kënduar këngët e Krishtlindjeve dhe vitit të ri në prag të festave, një traditë qindra vjeçare. Ndërsa për herë të parë pas 92 vitesh nuk do të zhvillohet edhe lotaria kombëtare e vitit të ri.

Top Channel