Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi t’i dërgojë Presidentit të Republikës të dy emrat e garuesve për një vend në Gjykatën Kushtetuese, atë të Aleksandër Tomës dhe Përparim Kalos.
Ditën e djeshme, KED i intervistoi dhe përfundoi procesin e pikëzimit për kandidatët në fjalë, të cilët synojnë vendin e lënë bosh nga ish-anëtari i Kushtetueses, Besnik Imeraj.
Kandidat për këtë pozicion ishte dhe Altin Binaj, por ai u tërhoq nga kandidimi për shkak se u zgjodh si anëtar për një tjetër vakancë.
Nga ana tjetër ka nisur shqyrtimi për të tretën herë radhazi i kandidates Zhaklina Peto, pra nëse ajo do të lejohet ose jo të garojë për në Kushtetuese. Mbledhja në fjalë vjen në një kohë kur vetë Peto deklaroi se në datën 19 i është konfirmuar se është mbartëse e Covid-it.
Peto paditi KED-në, pasi këta të fundit e përjashtuan nga gara për në Gjykatën Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e skualifikoi për mosplotësim kriteresh, ndërsa tashmë duhet ta verifikojë për të tretën herë.
Kujtojmë se pas emërimit të Altin Binajt, emërimi i anëtarit të gjashtë e bën funksionale Gjykatën Kushtetuese.
Top Channel