Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë një aktgjykim për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me votën e deputetit Etem Arifi, që ishte vendimtare për krijimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti. Tani Kosova duhet të shkojë në zgjedhje brenda 40 ditësh, pasi sipas vendimit të kushtetueses, vota e deputetit Etem Arifi, ka qenë e pavlefshme.

“Në dritën e kësaj, Gjykata thekson se në rastin konkret vihet në lëvizje paragrafi 4 i nenit 95 të Kushtetutës, sipas të cilit Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Duke qenë se deputeti Etem Arifi ka marrë pjesë edhe në procedura të tjera votuese në Kuvend, edhe pasi nuk kishte mandat të vlefshëm, mbështetur në parimin jo përtej kërkesës, kushtetuesja kufizohet në vlerësimin e kushtetuetshmërisë së aktit të kontestuar e si pasojë, sqaron ajo, duke qenë se ky Aktgjykim nuk mund të ketë efekt prapaveprues, vendimet e Qeverisë aktuale mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

LDK krijoi qeverinë e re pas rrëzimit të Albin Kurtit, me një mocion mosbesimi në parlament. Qeveria u krijua në aleancë me AAK dhe Nismën me vetëm një votë më shumë nga sa nevojiteshin. Lëvizja Vetëvendosje, kur paraqiti ankesën në Gjykatën Kushtetuese, më 11 korrik të këtij viti, argumentoi se deputeti Etem Arifi, nuk kishte patur legjitimitet në momentin e votimit pasi ishte dënuar nga gjykata me vendim të prerë. Qeveria e Kosovës ka insistuar se vota e Arifit ka qenë legjitime. Ky i fundit u dënua me 1 vit e 3 muaj burg nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Ndonëse i dënuar Arifi kishte votuar pro qeverisë Hoti në seancën e 3 qershorit.

Top Channel