Sllovenia filloi testimin masiv kundër koronavirusit, përmes një fushate që synon një të katërtën e popullsisë së saj dy milionëshe. Faza e parë do të zgjasë deri të enjten dhe është në dispozicion për këdo që dëshiron të testohet.

Një tjetër fazë do të ndodhë pas Krishtlindjes, duke u përqëndruar në punëtorët siç janë, mësuesit, ushtarët dhe oficerët e policisë.

Mbi njëqind njerëz shkuan në Sheshin qendror të kryeqytetit Lubjanë, në një nga disa pikat në 13 qytete ku do të kryhet testimi.

Sekretarja e ministrisë së Shëndetësisë në Slloveni, Marija Magajne, tha të hënën se programi synon “të frenojë përhapjen e koronavirusit, uljen e numrit të njerëzve të shtruar në spital si dhe vdekjet”.

Rezultatet e testimit do të kumtohen përmes mesazhit në telefon brenda 15 minutash së bashku me udhëzimet për ata që janë pozitivë, tha Magajne.

Sllovenia dhe disa vende në rajon janë përballur me nivele të larta të të infektuarve në muajt e fundit. Që nga muaji mars më shumë se 2.400 sllovenë kanë vdekur dhe mbi 107.000 janë infektuar me koronavirus.

Top Channel