Ushtruesja e detyrës së presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani takohet sot me përfaqësuesit politikë për të diskutuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Kosova nuk po shkon në zgjedhje për shkak të pozitës së presidentit, sic qe menduar tani vonë, por prej mënyrës se si u zgjodh qeveria Hoti. Gjykata Kushtetuese në 21 dhjetor vendosi se Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Kjo prej votës së deputetit Etem Arifit, i cili, në 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Rrjedhimisht, gjykata konstatoi se “presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e njoftimit të tyre”. Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e ekzekutivit të ri. Sipas nenit 82 të Kushtetutës, Kuvendi, ndër të tjera, shpërndahet nga 2/3 e votave të deputetëve dhe më pas presidenti i vendit përmes dekretit shpërndan Kuvendin dhe shpall datën e zgjedhjeve.

Partitë e koalicionit qeverisës, që përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve joshumicë ende nuk kanë komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka kërkuar që të mbahen zgjedhjet e reja. Ishte po kjo parti që e dërgoi në Kushtetuese për interpretim të kushtetutshmërisë votën e Arifit për Qeverinë Hoti.

Top Channel