Policia e Kosovës konfirmoi njoftimet se gazetari Valon Syla është sulmuar fizikisht, ndërsa një video e momentit të ngjarjes, u shpërnda në rrjetet sociale. Videoja e publikuar nga Indeksonline tregon momentin e goditjes së reporterit.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se rasti është vënë nën hetim.

“Morëm njoftime se një person është sulmuar fizikisht në lagjen “Pejton” në Prishtinë. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore dhe po merren me çështjen”, tha Ahmeti.

Arsyet e sulmit janë ende të paqarta. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi ashpër agresionin ndaj Sylës.

“Në videon e cila po qarkullon në rrjetet sociale, Syla shihet duke u grushtuar nga një person i panjohur. Në lidhje me këtë çështje, AGK-ja ka kontaktuar Policinë e Kosovës, e cila konfirmoi episodin”, thuhej në reagimin e Asociacionit.

Valon Syla ka qenë gazetar i Radio Televizionit të Kosovës dhe për disa vite korrespondent nga Beogradi. Ai aktualisht është drejtor i portalit Metro.

Top Channel