Wake Up/ Kardiologu Novrus Caushaj shpjegon goditjen e zemrës nga SarsCOV2 dhe simptomat e para

21/12/2020 12:20
Novrus Caushaj

Kardiologu, Novrus Caushaj ishte i ftuar në emisionin “Wake Up”, ku foli për goditjen e zemrës nga SarsCov2 dhe simptomat e saj.

Ai tha se pacientët me zemër që preken nga Sars janë shumë më të rrezikuar nga problemet e ndërlikimeve për arsye të një çrregullimi total të organizmit të njeriut. Çdo i sëmurë kardiak, me probleme të muskulit të zemrës dhe aritmisë është një kontigjent i kërcënuar që nëse sëmuret edhe nga Cov2 kjo kategori është shumë më e rrezikuar.

“Rreth një të e treta e pacientëve që vuajnë SarsCOV2 vuajnë probleme mendore. Unë këtu do të veçoja dy grupe njerëzish: njerëzit normal që vuajnë nga SarsCOV2 ku shfaqin problemet e zemrës dhe pacientët e zemrës që vuajnë Sarsin që janë dy grupe të ndryshme, ku grupi i dytë janë shumë më të rrezikuar nga problemet e ndërlikimeve për arsye të një çrregullimi total të organizmit të njeriut, çdo i sëmurë kardiak, me probleme të muskulit të zemrës dhe aritmisë është një kontigjent i kërcënuar që nëse sëmuret edhe nga Cov2 kjo kategori është shumë më e rrezikuar sesa kategoria tjetër. Pacientët që vuajnë SARS dhe që janë me ndërlikime kardiake është infarkti akut. Një enë gjaku e bllokuar do shpërthejë pllaka dhe shpërthimi i pllakës do lëshojë trompe dhe dalja e trompeve do ta përkeqësojë gjendjen e atij pacienti, ndërsa ndërlikimi i dytë është vuajtja e muskulit të zemrës në total si zemër, pra jo nga vuajtja e enëve të gjakut, por të vetë muskulit të zemrës që vuan totalisht zemra dhe ventrikuli i majtë i zemrës, gjithashtu janë edhe aritmitë, ku nga aritmitë më madhore që çojnë drejt vdekjes deri tek aritmitë më të zakonshme, rrahjet jashtë radhe, aritmi ventrikulare të cila duam ose s’duam ne në terren të një pacienti me Covid-19 të rënduar në total do jenë një masë rënduese akoma më e madhe dhe e katërta është që këta të sëmurë shoqërohen me likid të shtuar në cipat rrethuese të zemrës. Simptomat e para që konstatojnë këta pacientë përveç problemeve të tyre është një dhimbje gjoksi e shtuar, një rrahje zemre e rregullt ose e çrregullt por në kohë, një pafuqi që i bashkëngjitet pafuqisë që i jep vetë Covid-19, kur pacienti e vuan Covid-in, domethënë dobësi muskulare, marrja e frymës që miksohet me prekjen e mushkërisë prej Covid-19, por kur rëndohet marrja e frymës gjithmonë duhet të shkojë në mendje se një ndërlikim kardiak është futur në trup”, tha Novrus Caushaj.

Top Channel