Ai është një nga emisionet që ka thyer rekord shikueshmërie që në ditët e para që u shfaq në ekran. Është fjala për “Për’puthen”, që brenda 3 muajve ka kaluar 140 milionë klikimet në kanalin e “Yotube”.
18 protagonistët e parë, por edhe ata që u futën në program më vonë, kanë fituar pëlqimin e publikut, të cilët gozhdohen para ekranit për të parë se si njihen të rinjtë sot, si dashurohen, e si filtrojnë.
Për gazetën Shqip ka folur autorja e produksionit, Olsa Muhameti, e cila ka treguar për herë të parë edhe surprizën që ka për publikun e “Për’puthen” më 3 janar të vitit 2021.
Olsa shprehet se e dinte që formati që do të sillte për herë të parë në ekranin shqiptar do të trazonte ujërat, por shton se “nuk e dinte që do të vinte me një sukses që ka sot”.
Ndërsa e pyetur se përse ka kaq shumë audiencë, autorja e njohur thotë se “është një program i thjeshtë dhe që ka brenda copëza të rinisë shqiptare”.
Intervista e plotë:
Si lindi ideja e “Për’puthen”?
Mendova të sjell një program dashurie pikërisht se më ishte ofruar një nga programet më të rëndësishme në Top Channel, autorësia e tij siç është “E Diell”.Për këtë arsye doja që të bëja diçka ndryshe, që nuk kishte ndodhur ndonjëherë në televizionet shqiptare. Dhe ajo që i mungonte televizionit shqiptar ishte formati i dashurisë. Unë mendova “Për’puthen”, u frymëzova nga programi paralel në Itali dhe më pas e ndërtova atë duke u bazuar në realitetin shqiptar, në atë çka ne jemi.
A e mendonit se do të kishte një imapkt të tillë në publik dhe kaq shumë sukses?
Sigurisht që nuk e kam menduar. Padyshim e dija që do të trazonte ujërat “por jo që do të vinte në një sukses që ka sot. Isha e sigurt që në fillimet e saj “Për’puthen do të anatemohej shumë, do të kundërshtohej shumë, personazhet aty do të sulmoheshin gjithashtu sepse ishte hera e parë që disa të rinj mblidhen edhe bëjnë dashuri në ekran.
Përse ka kaq shumë audiencë?
“Për’puthen” ka kaq shumë audiencë pasi mendoj që sjell realitetin e jetës sonë. Është një program i thjeshtë, pa shumë shkëlqim dhe është bërë posaçërisht i tillë. Pra po ta vësh re, sjellja e të rinjve është e zakonshme. Unë jam përpjekur të sjell copëza të rinisë shqiptare pa dashur që ti ndryshoj ata, pa dashur që t’i përmirësoj, por t’i sjell ashtu siç janë. Pra, realiteti, thjeshtësia dhe origjinaliteti mendoj që janë arsyet se pse “Për’puthen” ka kaq shumë audiencë.
A i ka tejkaluar pritshmëritë e juaja në lidhje me shikueshmërinë?
Tashmë “Për’puthen” është 140 milionë klikime për tre muaj, kështu që nuk kam asnjë koment përsa i përket kësaj pjese.
A është ky formati që kërkon audienca sot?
Sigurisht që ky është një format që e kërkon audienca, është një format i cili ka pushtuar të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe diasporë. Ka një shikueshmëri të paprecedentë në televizionet shqiptare. Edhe sigurisht që po, ky është një format që e kërkon audienca sot, e mesa duket ne arritëm që ta gjenim këtë mungesë, këtë dobësi në televizionet shqiptare. Ne arritëm që ta evidentonim këtë hapësirë boshe, e zumë këtë hapësirë dhe gjithë të tjerë po na ndjekin për hirë të së vërtetës.
Çfarë surprizash priten për Vitin e Ri?
Do ta them për gazetën Shqip për herë të parë. Më datë 3 janar në orën 21:00, ne startojmë “Për’puthen prime” një program, ku do të do të ketë ekskluzive të javës, përmbledhje, të ftuar,ecc për të mos I zbuluar të gjitha tani. Një format prime time dhe mund të them se ky është plotësimi i dëshirës së shikuesve tanë pasi gjatë gjithë kohës na e kërkojnë “Për’puthen” në fundjavë. Kështu që “Për’puthen” do vijë të dielën në orën 21:00 me premierën e datës 3 janar.
Çfarë synimesh ke në vijim me emisionin?
Synimi i vetëm i emisionit është që të nxjerrë çifte. Pra ky emision nëse ka arritur përputhjen, ka arritur gjithë synimin e tij.
Top Channel