A është më vdekjeprurës? Variant i ri i COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar, çfarë dihet rreth tij

20/12/2020 09:04

Pas shfaqjes së variantit të ri të COVID-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se ka kontaktuar me zyrtarë të Mbretërisë së Bashkuar.

Ky institucion tha se Mbretëria e Bashkuar po ndan informacione nga studime të vazhdueshme rreth mutacionit të virusit dhe se OBSH do të azhurnojë shtetet anëtare dhe publikun, teksa mësohet më shumë rreth karakteristikave të këtij varianti të virusit.

Siç shkruan BBC, megjithëse ka “pasiguri të konsiderueshme”, kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se varianti i ri mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm se ai i vjetri.

Por zyrtarët shprehen se nuk ka asnjë provë aktuale që sugjeron se varianti i ri shkakton një shkallë më të lartë të vdekshmërisë ose që ndikohet ndryshe nga vaksinat dhe trajtimet. Bëhet fjalë për variantin e ri i cili po përhapet më shpejt se versioni origjinal, por nuk besohet të jetë më vdekjeprurës.

Si pasojë, pjesë të mëdha të Anglisë juglindore, përfshirë Londrën, tani janë nën një nivel të ri, më të rreptë të kufizimeve, në një përpjekje për të frenuar virusin që po përhapet me shpejtësi.

 

Top Channel