Hetimi tronditës! Brenda rrjetit të prostitucionit rumun, aty ku prindërit po shesin vajzat e tyre të mitura për t’u përdhunuar në Angli

18/12/2020 11:38

Eksperti i MAFIA-s, Radu Nicolae mendonte se kishte dëgjuar mjaftueshëm ndodhi befasuese përgjatë viteve të tij dhe se asgjë nuk do t’i bënte më përshtypje, derisa ndeshi rrëfimet e disa trafikantëve të dënuar në një nga burgjet më të rënda të Rumanisë.

Nicolae nuk mundi dot të mos ndjente neveri, teksa dëgjonte rrëfimet e tutorëve, që tregonin se si vetë prindërit i dorëzonin tek ata fëmijët e tyre të pafajshëm, për t’i shitur në Mbretërinë e Bashkuar, aty ku do të niste një jetë ferri për ta, një jetë prostitucioni.

“Ata synojnë vajzat e reja, sa më të reja të jetë e mundur, dhe kryesisht të mitura,”  tha ai për “Sun Online” në një intervistë ekskluzive.

“Unë i pyeta: Pse i shënjestroni vajzat 14, 15 dhe 16-vjeçare? Ata thonë se kjo është për shkak se klientët paguajnë më shumë dhe vijnë më shpesh për vajzat e reja. Një djalë më tha se bleu një vajzë 15-vjeçare nga babai i saj dhe se ju desh të paguante dhe një biletë për të atin, që ta sillte ai në një apartament në Austri, duke qenë se ishte e mitur. Vajza i shkoi 3,000 euro dhe zakonisht do të paguante më pak, rreth 1,500 euro, por ishte shumë e rrezikshme që ai të udhëtonte me vajzën, kështu që “e transportoi” me të atin në destinacionin përfundimtar”, tregon ai, duke shtuar se gjithçka ndodhi kundër dëshirës së vajzës.

Më tej vazhdon:

“Unë bëra më të mirën time për t’u përgatitur psikologjikisht për këto takime dhe u përpoqa të mos paragjykoj, por nuk ishte e lehtë. Ajo që binte në sy dukshëm ishte se këta burra nuk kishin ndonjë ndjeshmëri ndaj qenieve të tjera njerëzore. Ata i trajtonin gratë si kafshë – objekte për të fituar para”.

Hetimi i “Sun Online” për trafikimin e të miturve vjen pasi një raport i Komisionit Evropian paralajmëroi se krahasuar më 2016-ën, fëmijët po trafikohen jashtë shtetit të tyre 10 herë më shumë.

Në të njëjtën kohë, aksionet e policisë në Leicestershire dhe Northumberland kanë treguar se deri në 86 përqind të grave që punojnë në disa shtëpi publike Britanike vijnë nga Rumania. Nga klubet e shtrenjta të skutat e striptizmit në cepat e zymtë të rrugëve të Londrës, industria e seksit në Mbretërinë e Bashkuar është e mbushur me histori të të ashtuquajturve “romë”, që shesin trupat e tyre për para të gatshme.

Vajzat detyrohen të hyjnë në industrinë e seksit nga bandat e etura për para, që i shfrytëzojnë për të vjelë para. Një vajzë e trafikuar bën 500 deri në 700 paundë në ditë nga shërbimi i shumë klientëve. Kështu tutorët e tyre mund të grumbullojnë 12,500 paundë në muaj – ose 135,000 paundë në vit, nga vetëm një prej tyre.  Por ndonëse janë një burim i vërtetë fitimi, të trafikuarat nuk kanë asnjë kacidhe në xhep, pasi të gjitha paratë ua dorëzojnë “shefave të seksit”. Në Rumani, ekspertët thonë se bandat e trafikimit kanë korruptuar zyrtarë qeveritarë. Eksperti i krimit të organizuar Radu, i cili është President i Qendrës Syene për Edukim në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht intervistoi trafikantë famëkeq në burgjet Jilava, Rahova, Giurgiu dhe Poarta Alba në vitin 2018.

Kështu u zbulua se përpos prindërve që i dorëzojnë fëmijët me duart e  tyre, një pjesë e vajzave mashtrohen nga disa djem, në dukje të dashuruar pas tyre, që u premtojnë një jetë më të mirë në Britani.

“Mbaj mend që një burrë po lëvizte sa në një qytet në tjetrin në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, sepse klientët kishin nevojë për risi. Sapo ai fillonte të vërente se klientët nuk po vinin aq shpesh, i merrte vajzat e gjora në një qytet tjetër dhe qëndronte atje tre ose katër muaj”, tregon eksperti.

Top Channel