Trafik droge nga Shqipëria në Itali/ Gjykata e Katanias rikthen në qeli “bosin e drogës”, Moisi Habilajn!

17/12/2020 22:47

Gjykata e Apelit në Katania ka dënuar me 15 vite e 5 muaj burg Moisi Habilajn, trafikantin shqiptar të drogës.

Për të gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Catanias tashmë kanë zgjedhur të mos ndryshojnë vendimin e parë dhe të mos bëjnë asnjë zbritje por ta dënojnë me 15 vjet, 5 muaj dhe 10 ditë siç është urdhëruar më 19 qershor 2019.

Mediat italiane shkruajnë se Habilaj në gjykimin e shkallës së parë kishte vendosur të fliste me magjistratët për të pranuar disa akuza dhe për t’i dhënë atyre informacione për çdo përfshirje të mundshme të kushëririt të tij në trafikun e drogës, pra ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri.

“Meridionews” ka zbardhur edhe një fragment nga deklarata e Habilajt, i cili shprehej se: “Nëse vini në Shqipëri e kuptoni që policia është e korruptuar . Ndonjëherë është vetë shefi që na ndihmon të ngarkojmë thasët”.

Dy shqiptarët e tjerë Maridiam Sulaj dhe Nezar Seiti, kanë përfituar ulje dënimi. Sulaj u dënua me tetë vjet ndërsa Seiti, që besohet të ishte arkëtari i organizatës dhe u ekstradua në Itali pasi u arrestua në Shqipëri, gjashtë vjet e tetë muaj. Në shkallën e parë Sulaj u dënua 8.4 vite burg dhe Seiti 7.4 vite burg.

Moisi Habilaj është kushëri i largët i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin po zhvillohet një proces në Shqipëri. Prokurorët e SPAK që hetuan çështjen Tahiri, nuk kanë arritur të identifikojnë dhe provojnë veprime konkrete të kryera me dashje nga të pandehurit Sajmir Tahiri dhe Jael Çela, për të ndihmuar grupin kriminal të Moisi Habilajt për trafikimin e lëndëve narkotike.

Kjo gjykatë po ashtu thotë se nuk është arritur të provohet një marrëdhënie mes Tahiri dhe të pandehurit Mosi Habilaj, që ata të kenë pasur një nivel bashkëpunimi për kryerjen e trafikut të drogës.

Lidhur me pozicionin e Jaeld Çelës, që në vitin 2016 ishte kreu i policisë së Vlorës, prokurorët e çështjes, sipas gjykatës së apelit të posaçëm thonë, se nuk kanë arritur të provojnë se këta funksionarë publikë kanë bashkëpunuar me qëllim të përbashkët kryerjen e aktivitetit kriminal të trafikimi të narkotikëve, mbajtjen e e marrëdhënieve dhe kontakteve të qëndrueshme e të pashpjegueshme me anëtarët e organizatës kriminale.

SPAK, sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, po ashtu është kontradiktor pasi nuk vuri në dijeni të pandehurit për rikualifikimin e akuzës për shpërdorim detyre.

Në datën 26 qershor kjo gjykatë vendosi që dosjen e Tahirit ta riktheje përsëri për rigjykim, bazuar në argumentet e mësipërme, duke mos dhënë as vendim fajësie dhe as pafajësie për Sajmir Tahirin. Çështja i rikthye “shkallës së parë”, e cila në shtator të vitit 2019, e shpalli fajtor ish ministrin e brendshëm Sajmir Tahiri, për akuzën e shpërdorimit të detyrës duke e dënuar me 3.5 vite shërbim prove dhe ndalim të të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Top Channel