Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski tha sot se në 100 ditët e para të qeverisjes së vendit prioritet i ministrisë që drejton ai ishte lufta kundër përhapjes së COVID-19.

Në një konferencë për media, ku prezantoi aktivitetet e realizuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme për periudhën 100-ditëshe të qeverisë, ministri Spasovski tha se kriza e pandemisë ishte një nxitje shtesë për të punuar dy herë më shumë.

“Kemi filluar me zbatimin e zellshëm të protokolleve të mbrojtjes nga koronavirusi, që rezultoi në 70 për qind më shumë sanksione në vetëm tre muaj, ndryshe nga periudha e mëparshme“, tha Spasovski.

Në mënyrë që të tejkalohen pasojat dhe sfidat e koronavirusit, Spasovski tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur mbi 250 kallëzime penale për mosrespektimin e izolimit dhe vetë-izolimit.

Duke theksuar se 37 mijë kontrolle janë kryer në objekte hotelerike dhe në objekte të tjera, ai tha se angazhimi për të krijuar ambiente të sigurta për qytetarët pasqyrohet në trafik.

“Si rezultat, ne përfunduam muajin e kaluar me një ulje prej 21 për qind të aksidenteve në trafik. Numri i aksidenteve me lëndime të rënda u ul me 47 për qind. Ndërsa numri i viktima u ul me 36 për qind krahasuar me nëntorin e vitit 2019”, tha Spasovski.

Më tej, duke theksuar se siguria e qytetarëve ka kërkuar një luftë pa kompromis kundër krimit, ai tha se nga mesi i muajit shtator një aksion operativ është vendosur në të gjithë vendin për të luftuar trafikimin e paligjshëm të drogës.

“Ajo po jep fryte, kështu që në periudhën shtator-nëntor 2020 kemi rritur mesataren mujore të funksionit të zbulimit me 48 për qind. Ne kapëm mbi 400 kilogram lëndë narkotike të ndryshme”, tha Spasovski, duke shtuar se janë parandaluar tre dërgesa ndërkombëtare të drogës.

Sa i përket periudhës së ardhshme, tha Spasovski, zyrtarët pretendojnë se do të angazhohen për ndërtimin e standardeve evropiane në polici në përputhje me “aspiratat e qeverisë për të sjellë Evropën në shtëpi”.

Top Channel