Mbrojtja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, edhe një herë ka kërkuar që gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të fillojë pas 18 muajsh, përkatësisht në verë të vitit 2022.

“Më shumë se 18 muaj duhen për të zhvilluar hetime në këtë rast. Ky është realiteti”, tha avokati i Hashim Thaçit, David Hooper, në një konferencë statusore të mbajtur të enjten në Dhomat e Specializuara në Hagë. Prokuroria ka deklaruar se deri më tani i ka dorëzuar mbrojtjes më shumë se 1,300 materiale. Prokuroria, po ashtu, tha se në muajin korrik mund të përfundojnë hetimet dhe në muajin shtator të vitit 2021 të nisë procesi gjyqësor.

Edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, deklaroi se periudha prej 18 muajsh është e shkurtër. Ai ia ka kujtuar gjykatës se në Tribunalin Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë në Hagë, që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë dhe deri në fillimin e gjykimit është pritur deri në tre vjet e gjysmë. Edhe kjo periudhë, sipas tij është e gjatë, por theksoi nevojën që mbrojtja kërkon kohë të mjaftueshme për të trajtuar çështjen dhe provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë.

Emmerson mendon se fillimi i gjykimit në këtë rast ndoshta do të duhej të fillonte në fund të vitit 2022, ose në fillim të vitit 2023, dhe se kjo do të ndikohet nga pandemia dhe vaksinimi kundër COVID-19.

Gjykatësi Nicolas Guillou, tha se asnjë vendim nuk do të merret të enjten në lidhje me datën e fillimit të gjyqit, por ai tha se do t’i marrë parasysh të gjitha pozicionet e mësipërme dhe se kjo do të diskutohet në konferencat e ardhshme statusore.

Konferenca e ardhshme statusore u propozua që të mbahet në janar. Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë provash disponon.

Top Channel