​Gjykata Kushtetuese ndërpret shqyrtimin e lëndës për Thaçin që ishte iniciuar nga VV

17/12/2020 21:24

Dorëheqja nga posti i presidentit ka qenë arsyeja që Gjykata Kushtetuese ka vendosur të ndërpresë procesin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi për deklaratën e tij në muajin mars se qytetarët nuk janë të obliguar të respektonin vendimin e ish-Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes për shkak të pandemisë COVID-19.

Në njoftimin e Gjykatës Kushtetueses thuhet se pasi që Thaçi ka dhënë dorëheqje nga posti i tij dhe se nga deputetët e Kuvendit ishte kërkuar kushtetutshmëria e veprimit të presidentit, “gjykata më nuk ka rast para vetes”.

Ndryshe, pak orë pasi Qeveria Kurti vendosi masat e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve si masë mbrojtëse ndaj COVID-19 më 23 mars, ish-presidenti Thaçi në një konferencë për media tha se vendimi ishte shkelje flagrante e Kushtetutës dhe se vendimi për kufizim të lirisë së lëvizjes mund të bëhej vetëm me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai kishte thënë se institucionet nuk duhet të zbatonin ”vendimin antikushtetues”.

Parashtrues i kërkesës ndaj ish-presidentit Thaçi ishte deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës. Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së, “veprimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, të datës 23 mars 2020, të shprehur përmes konferencës për medie për mosrespektim dhe moszbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Parashtruesit e kërkesës pretendonin që, “veprimi” i Presidentit të Republikës së Kosovës i shprehur përmes deklaratës së tij në konferencën për medie, përbën shkelje serioze të Kushtetutës, respektivisht paragrafit 2 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafit 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafëve 1 dhe 2 dhe paragrafit 4 të nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës], paragrafit 4 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], nenit 97 [Përgjegjësia] dhe paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit të Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kërkesa bazohej në paragrafin 6 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 44 [Saktësimi i kërkesës] dhe 45 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] dhe 75 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.6 të Kushtetutës dhe me nenet 44 dhe 45 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Parashtruesit e kërkesës, më 31 mars 2020 dorëzuan kërkesën e tyre në Gjykatë, përmes të cilës pretenduan se “veprimi” i Presidentit të Republikës së Kosovës i shprehur përmes Deklaratës së tij në konferencën për media përbënte shkelje serioze të Kushtetutës, respektivisht paragrafit 2 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafit 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafëve 1 dhe 2 dhe paragrafit 4 të nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës], paragrafit 4 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], nenit 97 [Përgjegjësia] dhe paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit të Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, menjëherë pas regjistrimit të kërkesës kishte zhvilluar procedurat e nevojshme për njoftimin e palëve në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi. Si rrjedhojë e kësaj, Gjykata kishte pranuar përgjigjen e Presidentit ndaj pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, si dhe komentet e parashtruesve të kërkesës ndaj përgjigjes së Presidentit.

Megjithatë, para se Gjykata të vendoste përfundimisht në lidhje me kërkesën e parashtruesve të kërkesës, përmes të cilës pretendohej kryerja e shkeljes serioze e Kushtetutës nga Presidenti, më 5 nëntor 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës dha dorëheqje nga pozita e Presidentit.

Në këtë kontekst, edhe paragrafi 5 i Rregullit 75 i Rregullores së Punës përcakton që: “Gjykata urdhëron ndërprerjen e procedurave të iniciuara në pajtim me këtë rregull në rast se para nxjerrjes së vendimit të saj, Presidenti i Republikës së Kosovës ka dhënë dorëheqje ose ka ndërprerë mandatin e tij/saj.”

Si rrjedhojë e kësaj rrethane të re dhe bazuar në faktin se kërkesa është dorëzuar në bazë të nenit 113, paragrafit 6 të Kushtetutës, me ç‘rast parashtruesit e kërkesës kontestuan kushtetutshmërinë e veprimit të Presidentit përmes Deklaratës së tij të dhënë më 23 mars 2020 dhe rrjedhimisht, ndërlidhet me kërkesën për konstatimin e një shkelje serioze që do të mund të rezultonte në shkarkimin e Presidentit, ndërsa Presidenti më nuk ushtron këtë detyrë, Gjykata bazuar në rrethanat e krijuara pas dorëzimit të kërkesës nga parashtruesit e kërkesës, si pasojë e dorëheqjes së Presidentit dhe në përputhje me nenin 113.6 të Kushtetutës, me nenet 44 dhe 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullat 59 dhe 75 (5) të Rregullores së Punës konstatoi se, më nuk ka rast para vetes dhe rrjedhimisht, njëzëri vendosi për ndërprerjen e procedurave të shqyrtimit të mëtejmë të kërkesës, përfundon komunikata për media e Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA