Seanca për vendosjen e masave të të arrestuarve në Vlorë pas aksionit të madh antidrogë vijon ende.
Familjarët e të arrestuarve vijojnë të presin para ambienteve të gjykatës. Nëna e njërit prej të arrestuarit tha se ai është i pafajshëm dhe se punonte tokën me të, ndërsa avokati i ka dhënë shpresë për ta liruar.
“Më thanë për verifikim djalin dhe e morën ai është i pafajshëm se e di se ku ka punuar djali im, në sherbelë se kemi punuar nëpër toka dhe kur erdhi puna e ma morën pa faj fare. Unë quhem Xhemile Troka jetoj në Vlorë, ma morën tek nëna ime në Bisham për arsye koti, djali është 29 vjeç, Marjus Driza kurse djali i xhaxhait quhet Dashamir Troka. Avokati më tha që kemi shpresa ta nxjerrim por nuk e di, jam e sigurt që nuk ka lidhje në këtë mes”, tha ajo.
Ndërsa një familjare tjetër tha se ka dy muaj që qëndron para gjykatës, pasi i morën në fillim dy djemtë e i arrestuan e më pas edhe djalin e tretë.
“Kam dy muaj e ca qëkur më morën këta dy të tjerët, futem në një lokal e u them të fle këtu. Nuk mbaj mend datë se kur mi kanë marrë se nuk shoh më kalendar. Unë këtu rri, unë isha në një vaki më erdhën djemtë e më thanë, çunat janë 35 32 i sëmuri e tjetri 27, ata me gurin punojnë se ua ka lënë trashëgimi i ati”, tha gruaja.
Kujtojmë se 27 persona u arrestuan, ndërsa 4 u shpallën në kërkim për bashkëpunim pas një hetimi 6 mujor. Pjesë të këtij organizimi të jashtëligjshëm kanë qenë burra dhe gra, ndërsa akuzohen për shpërdorim detyre policë, kryetarë fshati dhe inspektorë të pyjeve.
Top Channel