E nisën me përqafim, e mbyllën në barazim, vëllezërit Inzaghi ndajnë nga një pikë

16/12/2020 00:24

Filippo dhe Simone Inzaghi, dy vëllezër që kanë shënuar gola të shumtë në kampionatin italian si sulmues, mbrëmjen e sotme ishin rivalë për 90 minutat e përballjes Benevento-Lazio, si trajnerë të skuadrave përkatëse.

Gjithçka nisi me një përqafim të ngrohtë mes dy vëllezërve Inzaghi dhe po ashtu edhe përfundoi, pasi vërshëllima finale e arbitrit Pairetto në stadiumin “Ciro Vigorito” la në fuqi rezultatin e barabartë 1-1, me dy skuadrat që ndanë nga një pikë.

Lazio dominoi kontrollin e topit dhe kaloi e para në avantazh me anë të kapitenit Ciro Immobile në minutën e 25-të, ndërsa Benevento u tregua shumë e saktë në kundërsulme dhe pasi u ndal disa herë nga Pepe Reina, gjeti golin e barazimit me Schiattarellën në minutën e 45-të.

Ky i fundit u ndëshkua edhe me karton të kuq në minutat shtesë të ndeshjes, por atëherë nuk bënte më dëm, pasi Lazio nuk pati kohë të shfrytëzojë epërsinë numerike dhe rezultati mbeti i pandryshuar.

Ky barazim ishte mjaft i vlefshëm për Beneventon e Filippo Inzaghit, që ngjitet kështu në vendin e 13 me 12 pikë të grumbulluara në po kaq javë, ndërsa Lazio mbetet në kuotën e 18 pikëve dhe sheh t’i largohen kundërshtarët e zonës Champions.

Top Channel