Gazetarët në botë/ Numër rekord të burgosurish, në mesin e një pandemie globale

15/12/2020 11:42

Një numër rekord gazetarësh janë burgosur në vitin 2020, pasi qeveritë kanë shtypur mbulimin e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit, apo kanë tentuar të shtypin raportimet për pakënaqësi civile, ka thënë Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve të martën.

Të paktën 274 gazetarë kanë qenë në burg deri më 1 dhjetor, më së shumti prej kur grupi me bazë në Nju Jork ka nisur të mbledhë të dhëna në fillim të viteve 1990, është thënë në raport. Sipas këtij Komiteti, vitin e kaluar janë regjistruar 250 gazetarë të burgosur. Protestat dhe tensionet politike kanë qenë shkaktare të shumicës së arrestimeve që janë bërë kryesisht në Kinë, Turqi, Egjipt dhe Arabi Saudite.

Në valën e pandemisë së koronavirusit, liderët autoritarë kanë tentuar të kontrollojnë raportimin, duke arrestuar gazetarët. Të paktën dy gazetarë kanë vdekur pasi janë prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus, sa kanë qenë në mbajtje, ka thënë raporti.

“Është shokuese dhe e tmerrshme që po shohim një numër rekord të gazetarëve të burgosur në mesin e një pandemie globale”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtje të Gazetarëve, Joel Simon, përmes një deklarate.

Në nivel global është thënë se 34 gazetarë janë burgosur për “lajme të rreme” më 2020, në krahasim me 31 vitin e kaluar.

“Numri rekord i gazetarëve të burgosur në gjithë botën është trashëgimi e lirisë së shtypit të presidentit, Donald Trump”, ka thënë Simon.

Ndonëse asnjë gazetar nuk ka qenë në burg në Shtetet e Bashkuara deri më 1 dhjetor, 110 janë arrestuar apo akuzuar gjatë këtij viti, shumica prej të cilëve teksa kanë qenë duke mbuluar protestat kundër dhunës policore, është thënë mes tjerash në raport. Shtetet ku numri i gazetarëve të burgosur është rritur dukshëm janë Bjellorusia dhe Etiopia.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA