28 mjekë humbën jetën nga Covid-19, ish-deputeti i PD-së jep shifrat

15/12/2020 11:18

Ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu thotë se Shqipëria është renditur ndër vendet me numrin më të lartë të humbjes së mjekëve, si pasojë e koronavriusit.

Përmes një postimi në Facebook, ku publikoi disa shifra në lidhje me viktimat nga Covid-19 ndër bluzat e bardha, ish-deputeti tha se mbrojtja dhe fillimi i vaksinimit te personeli duhet të fillojë me 15 janar, me “domosdoshmëri”.

“Humbjet ndër më të lartat në botë të jetëve të mjekëve- arrogancë, diskriminim e dështim!- shkruan Tritan Shehu. “Shqipëria ka arritur në 28 humbje mjekësh nga Covid-i, duke u renditur ndër vendet me numrin më të lartë në rruzull për këto vdekje”.

Nr total.  % mbi vdekjet.  % mbi mjekët.

Shqipëria.      28                 3,2                    1,3

M. Veriut.      12                 0,6                   0,24

Italia.            218               0,36                   0,09

Gjermani       28                0,14                  0,006

“Një realitet tragjik ky”, shkruan Shehu, “si pasojë e falsitetit të masave mbrojtëse ndaj mjekëve e personelit, që realisht mungojnë në të gjithë sistemin. Mbrojtja e personelit nuk sigurohet me dhënien e dy maskave në javë mjekut të familjes, me mungesat e mëdha në spitale, me amullinë e plotë organizative në institucione, me mungesën e testimeve për personelin e pacientët”.

“Të diskriminosh kështu personelin është një vepër kriminale, për të cilën edhe Prokuroria duhet të veprojë”, apelon Tritan Shehu. “Ndryshe këto shifra”, vijon ai, “së bashku me humbjet e jetëve në përgjithësi do të njohin vetëm rritje me çmim të pallogaritshëm njerëzor”.

Top Channel