Pandemia, 29,600 të papunë më shumë/ Ekspertët presin që papunësia të shtohet deri në 100 mijë persona

14/12/2020 15:08

Pandemia Covid-19 ka goditur tregun e punës. Të dhënat e Instat-it tregojnë se në tremujorin e tretë rezultojnë mbi 29 600 persona më pak të punësuar se kundrejt të njëjtës periudhë të 2019-ës.

Nga të dhënat administrative, sektori bujqësor ka rezultuar më i prekur me mbi 17 mijë më pak të punësuar, ndjekur nga sektori privat me mbi 10 mijë dhe ai shtetërore që numëron rreth 1 600 persona që kanë humbur punën.

Për ekspertët papunësia po kthehet në një problem afatgjatë dhe normalizimi i tregut të punës është ende larg.

“Ky trend në përmirësim të lehtë le të themi ishte i pritshëm në kushtet kur ekonomia u hap pas 3-muajsh. Nga një goditje konjukturore është kthyer në një goditje strukturore e tregut të punës me papunësi afatmesme dhe afatgjatë”, shprehet Adrian Civici, ekspert për ekonominë.

“Nuk kemi të bëjmë ende me një situatë të stabilizuar. Në gjykimin tim mund të kemi një shifër deri në 100 mijë të papunë nga pandemia duke marrë parasysh të gjithë treguesit. Ne në një kohë normale kishim mbi 100 mijë të tillë në fund të çdo viti, kur nuk ishte një situatë e tillë”, sqaron Erion Muça, ekspert për çështjet e punësimit.

Teksa pandemia ka ndryshuar tregun e punës, ekspertët apelojnë për mbështetje ndaj bizneseve për t’u përshtatur me trendin e ri dhe për të ruajtur vendet e punës.

“Edhe Shqipëria duhet të përshtatet me trendin e ri. Nevojitet padyshim mbështetje buxhetore dhe kualifikime të nevojshme për adaptimin me mënyrën e re. Nevojitet mbështetje për të nxitur konsumin, për të ulur papunësinë dhe mbajtur ekonominë në ekuilibra”, Adrian Civici, ekspert për ekonominë.

“Nevojitet një strategjie e qartë për uljen e papunësisë. Duhet përshtatje me trendin e ri të punësimit dhe kompanitë sidomos duhet të mësohen me punën në distancë, jemi në kohën e digjitalizimit. Të rinjtë nga ana tjetër duhet të shikojnë përtej punëve tradicionale”, Erion Muça, ekspert për çështjet e punësimit

Sipas të dhënave të Instat-it, shkalla zyrtare e papunësisë gjatë periudhës Korrik-Shtator zbriti në 11.6%  nga 11.9% që ishte në tremujorin e dytë, kur ekonomia ishte plotësisht e bllokuar dhe shumë biznese ndalën aktivitetin si pasojë e masave kufizuese.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA