Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e një telajoje e të bojërave të vajit për të realizuar pikturat e tij, e detyrojnë Harilla Ibrahimin të pikturojë nëpër muret apo vitrinat e lokaleve dhe restoranteve të qytetit të tij, Vlorës.
Harilla është 28 vjeç. Talentin për pikturë e zbuloi në vogëli, kur aparati i tij i dëgjimit nuk punonte dhe ditët e tij plot mërzi i mbushte me vizatime. Aftësia e kufizuar nuk e pengoi ta zhvillonte më tej këtë pasion me studimet në shkollën e pikturës, në qytetin e Vlorës. Por ëndrra e tij për të mbaruar Akademinë e Arteve nuk u realizua.
I rritur vetëm nga nëna e tij dhe me një vëlla tjetër me aftësi të kufizuar, sot Harila përpiqet të sigurojë jetesën, jo vetëm të tij, por dhe të familjes në çdo mënyrë e në çdo kohë… shi apo diell .
Në prag te festave të fundvitit, Harillën e shikon nëpër vitrinat e dyqaneve duke pikturuar mbi to tema “Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri”, apo dekorimet e tortave me pluhurin industrial, të cilat ja ofrojnë dhe kërkojnë vetë bizneset e pastiçerive të qytetit të Vlorës.
Ëndrra e tij është të ketë “telajo dhe penel”, mjetet e piktorit, por dëshira më e madhe është të gjejë një vend pune të qëndrueshëm.
Top Channel