Avokati: Haga konfirmon aktakuzën kundër Haradinajt dhe Gucatit

14/12/2020 16:18

Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi aktakuzën kundër dy udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njoftoi të hënën avokati i kësaj organizate, Tomë Gashi.

Në një postim në Facebook, Gashi tha se aktakuza kundër Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit “përmban katër pika, të cilat, sipas Prokurorisë Speciale në Hagë, kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë” dhe që “ndërlidhen me periudhën kohore 7-25 shtator”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë nuk ka njoftuar ende për konfirmimin e aktakuzës.

Haradinaj dhe Gucati janë arrestuar më 25 shtator në Prishtinë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe të Policisë së Kosovës.

Fillimisht nuk janë dhënë detaje për arsyet e lëshimit të fletarrestimeve, por më vonë është thënë se ata kanë penguar drejtësinë.

Tri herë gjatë shtatorit, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar – në mënyrë anonime – dosje që lidhen me Prokurorinë Speciale.

Përmbajtja e tyre nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri më tash, ky institucion ka njoftuar se ka konfirmuar aktakuzën për krime lufte kundër disa ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e tyre: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Salih Mustafa.

Të gjithë këta të fundit ndodhen në objektet e paraburgimit në Hagë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA