Agnelli: Dybala kapiteni ynë i ardhshëm, ja sa i kemi ofruar për rinovimin e kontratës

14/12/2020 23:15

Numri 1 i Juventusit, Andrea Agnelli ka marrë çmimin “Golden Boy 2020” në kategorinë “presidenti më i mirë në Europë”, ndërsa gjatë një intervistë të dhënë në ceremoninë e rastit, foli edhe për situatën e Paulo Dybalës.

Sulmuesi argjentinas po vuan jo pak edhe këtë sezon me fanellën bardhezi, por Agnelli theksoi se klubi beson shumë te ai dhe i ka bërë një ofertë shumë joshëse për të rinovuar kontratën që i skadon në verën e 2022-shit.

“Ajo me Paulo Dybalën është një dashuri reciproke. Ka pasur një periudhë të vështirë, por do të jetë kapiteni ynë i ardhshëm. Nga ana jonë ka marrë një ofertë për rinovim, që do ta fusë në listën e 20 futbollistëve më të paguar në botë, ndaj tani presim përgjigjen e tij”, u shpreh Anelli.

Më pas bosi i Juventusit foli edhe për vendimin për t’i besuar pankinën Andrea Pirlos, një kampioni në fushë, por pa eksperiencë në trajnim, si dhe për gjendjen ekonomike në klubin torinez.

“Disa kohë më parë nisa të arsyetoj për të afruar Pirlon si trajner, pasi më kishte hipnotizuar me idetë e tij për futbollin. Tani ka shumë modernizim në mënyrën e punës dhe të lojës, por edhe shumë ndjeshmëri në të gjithë stafin stërvitor. Industria e futbollit po kalon një krizë, por në 10 vitet e ardhshme, çfarë do modeli që të ndiqet, Juventusin ka për ta parë në krye si në Itali, ashtu edhe në Europë”, deklaroi presidenti Agnelli.

Top Channel