Kompania farmaceutike nga Britania e Madhe, AstraZeneca do ta kombinojë vaksinën e saj kundër koronavirusit me atë të Rusisë, Sputnik V; lajmin e dha ajo vetë si dhe disa zyrtarë rusë.

AstraZeneca tha se vaksina ruse do të përdoret në provat e mëtejme klinike, të cilat pritet të nisin në fund të këtij viti.

“Njoftojmë se do të nisim një program të testeve klinike për të vlerësuar sigurinë dhe imunitetin që prodhon kombinimi i vaksinës së zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oxford-it dhe asaj Sputnik V, Që është prodhuar nga instituti rus për hulumtime, Gamaleya”, njoftoi vetë AstraZeneca.

Kirill Dmitriev, kreu i Fondit për Investimeve Direkte që do të financojë këto studime, u shpreh se Moska është e përkushtuar për prodhimin e një vaksine, që do të dilte përmes kombinimit të vaksinës me kompaninë AstraZeneca. Ai tha se prodhimi i kësaj vaksine do të nisë, pasi provat klinike të dëshmojnë për efikasitetin e vaksinës. Shkencëtarët rusë kanë sugjeruar se kombinimi i vaksinës së AstraZenecës dhe Sputnik V do të rrisë efikasitetin.

Në muajin nëntor, kompania britanike njoftoi se nga testet e kryera prej saj rezulton që vaksina e prodhuar në bashkëpunim me Universitetin e Oxford-it mund të ketë efikasitet deri në 90 për qind për ta luftuar koronavirusin e ri. Por, ekspertët ngritën shqetësimet e tyre lidhur me këtë shifër, pasi nga të dhënat e publikuara, në disa grupe njerëzish gjatë provave për vaksinën, kjo e fundit u pa të kishte efikasitet vetëm 62 përqind. Ndërkaq, Mbretëria e Bashkuar është bërë vendi i parë në botë që ka nisur administrimin e vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech kundër koronavirusit. Grupet e para që po marrin këtë vaksinë janë të moshuarit dhe punëtorët shëndetësorë.

 

 

Top Channel