Ole Gunnar Solskjaer lë pas zhgënjimin që solli eliminimi nga Champions League pas humbjes ndaj Leipzig dhe e përqëndron të gjithë vëmendjen te derbi i Manchesterit mes United dhe City-t që do të luhet këtë të shtunë në Old Trafford në orën 18:30.

Në Premier League, Manchester United po kalon një moment të mirë pasi vjen pas 4 fitoresh radhazi dhe Solskjaer në konferencën për shtyp u shfaq optimist për një paraqitje të mirë të skuadrës që ai drejton edhe ndaj City-t të Guardiolës.

“Duhet ta nisim mirë ndeshjen. Kohët e fundit kemi bërë shumë mirë në derbi, kështu që do zbresim në fushë me objektivin për ta zhbllokuar sa më shpejt ndeshjen.Humbja me Leipzig na ka zhgënjyer, por e kemi treguar se dimë të reagojmë mirë pas humbjeve. E ndjej që po përmirësohemi dhe po i afrohemi nivelit që duhet të ketë Manchester United.

Kemi sulmues të shpejtë dhe dinamikë. Ky ekip ka lojtarë me kualitet të mirë që mund të krijojnë magji në fushë. Njerëzit thonë se nuk kemi ekuilibër si skuadër, por harrojnë që kemi fituar katër ndeshjet e fundit në kampionat“, thekson trajneri norvegjez

Top Channel