Kur u emërua ministër i Brendshëm 23 nëntorin e vitit 2018 duke zëvendësuar në krye të këtij institucioni të rëndësishëm Fatmir Xhafajn të dorëhequr, kryeministri Edi Rama e përshkroi Sandër Lleshajn si njeri që do të sillte një energji pozitive, edhe pse përplasjet nisën që aty me refuzimin e dekretimit të bërë nga presidenti Ilir Meta.

Vetë kryeministri Rama, në një status në Facebook gushtin e vitit 2013, kur e pati caktuar Këshilltar për Mbrojtjen, pohonte se emrin e Sandër Lleshajt e kishte dëgjuar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ua kishte sugjeruar  palëve si kandidaturë të spikatur për President të Republikës.

“Më vonë”, thoshte Rama, “munda ta çmoj përmes mediave kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë”.

Vlerësimin, shefi i qeverisë e ruajti deri në fund, pavarësisht se një ditë më parë, në vazhdën e protestave që morën kthesë të dhunshme kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie, Sandër Lleshaj paraqiti dorëheqjen e parevokueshme.

Jam shumë krenar për sensin e përgjegjësisë qytetarë të Sandër Lleshajt. Ai nuk ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të vrasjes së një djali 25-vjeçar. Por është vrarë një djalë dhe është hapur një varr dhe një plagë në shpirtin e shqiptarëve”, tha kryeministri.

Vetë ministri u përpoq të sqaronte se që kur e kishte pranuar këtë detyrë, ishte i vetëdijshëm se ajo barte në vetvete shumë përgjegjësi. I diplomuar në Akademinë e Oficerëve në Tiranë, në vitin 1985, Lleshaj në 1999 përfundoi studimet si oficer i Shtabit të Përgjithshëm dhe Kursin e Studimeve të Sigurisë Evropiane në Akademinë e Drejtimit, Gjermani. Në 2012-ën, kryen dhe studimet e doktoratës në Tiranë e ka gradën doktor i Shkencave. Ka mbajtur detyra si Komandant i një Regjimenti Kundërajror, komandant i kurseve, Komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, Atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani, Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes e me marrjen gradës gjeneral brigade në vitin 2010 , u emërua  Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Pas lirimit majin e 2013-ës, shtatorin e atij viti u caktua Këshilltar i Sigurisë pranë Kryeministrit të Shqipërisë. Që në muajin shtator qarkulluan disa zëra për largimin e tij nga kabineti qeveritar në mesin e akuzave të PD-së për tentative të zhvendosjes së votuesve të djathtë nga qendrat e tyre, pretendime këto, të cilat ai i hodhi poshtë me forcë. Ministri është shënjestruar në mjaft raste nga opozita, duke nisur që nga makina e shtrenjtë e deri te fotot e pretenduara se tregonin parcela me kanabis, por u mbijetoi të gjitha akuzave për të cilat duket ishte i përgatitur, e për t’u rrëzuar në fund, nga diçka që nuk e kishte menduar.

Top Channel