OKB: Pandemia minon të drejtat e njeriut në mbarë botën

11/12/2020 04:26

Kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuara po i bën thirrje botës që të vendosin të drejtat e njeriut në rend të parë dhe në qendër të përpjekjeve për të përballuar koronavirusin, në mënyrë që të arrihet një e ardhme më e mirë për qytetarët. Gjatë një paraqitjeje televizive të enjten me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antionio Guterres tha se pandemia COVID-19 pati ndikim joproporcional mbi grupet më të ndjeshme të shoqërisë, duke përfshirë punonjësit e vijës së parë që u përballën me koronavirusin, të moshuarit, invalidët, gratë, vajzat dhe pakicat.

“Virusi lulëzoi me shpejtësi për shkak të varfërisë, pabarazisë, diskrimiminit dhe shkatërrimit të mjedisit tonë natyror dhe dështimeve tjera në respektimin e të drejtave të njeriut duke krijuar kështu brishtësi të mëdha në shoqëritë tona”, ndërsa në të njëjtën kohë u jepte udhëheqësve pretekst për “reagime të ashpra dhe masa shtypëse që kufizojnë hapësirën qytetare dhe lirinë e medias”.tha ai.

Gjatë një fjalimi të mbajtur të mërkurën në Gjenevë, komisionerja për të drejtat e njeriut në OKB, Michelle Bachelet tha se dështimi i shumë vendeve për të trajtuar virusin me seriozitet si dhe dështimi për një përgjigje të shpejtë për të parandaluar përhapjen e tij, ka minuar shumë çështje që lidhjen me të drejtat e njeriut në botë, përfshirë ekonominë dhe të drejtat civile e politike.

“Politizimi i një pandemie në këtë mënyrë është papërgjegjësi e madhe dhe krejtësisht e dënueshme” thotë zonja Bachelet. “Provat dhe proceset shkencore po humbasin vemendje ndërsa teoritë konspirative dhe dezinformimi janë lejuar, ose inkurajuar të lulëzojnë”, tha ajo.

Ish Presidentja e Kilit tha se veprimet kanë lejuar diskriminimin, racizmin sistematik dhe margjinalizimin e grupeve më të ndjeshme, veçanërisht në vendet që janë në konflikt si Jemeni, që sipas zonjës Bachelet ka parë një “stuhi pesë vjeçare të konfliktit, dhunës, sëmundjeve, izolimit dhe shkurtimit të fondeve humanitare”.

Ndonëse bota ndodhet afër zbulimit të një vaksine të sigurt dhe efektive kundër COVID-19, zonja Bachelet shton se vaksina nuk do të parandalojë ose kurojë shkatërrimet socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia. Ajo thotë se ky synim mund të arrihet vetëm përmes një “vaksine për të drejtat e njeriut”, përbërësit kryesorë të së cilës ndodhen në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948.

Top Channel