Punonjësit e shëndetësisë në Angli, ndër të parët që vaksinohen kundër koronavirusit

09/12/2020 13:47

Punonjësit e shëndetësisë në Britani janë ndër të parët që po vaksinohen kundër koronavirusit. Ata e konsideruan të jashtëzakonshëm një hap të tillë pasi është diçka e rrallë që një vaksinë të dalë kaq shpejt.

“E gjithë kjo është shumë entuziasmuese, është hera e parë që një vaksinë arrin të vijë kaq shpejt. Një gjë e tillë duhet të na e bëjë të gjithëve jetën më të lehtë, edhe pse sërish do të duhet t`i respektojmë masat mbrojtëse”.

Qendrat shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar do të vaksinojnë si fillim personat mbi 80 vjeç dhe disa pjesëtarë të personelit shëndetësor. Programi synon të mbrojë grupet më të ndjeshme dhe të kthejë jetën në normalitet. Të martën, një 90 vjecare nga Irlanda e Veriut u bë personi i parë në botë që mori vaksinën e kompanisë Pfizer / BioNTech kundër COVID-19, duke shënuar fillimin e programit të vaksinimit masiv në Mbretërinë e Bashkuar.

Por kur mësoi se dhe një person i dytë 81 vjecar, i quajtur Uilliam Shekspir si gjiganti i letërsisë ishte vaksinuar dhe ai, sekretari britanik i shëndetësisë Matt Hancock u emocionua aq shumë sa u përlot, raporton shtypi vendas. Kjo ndodhi në kohën kur Hancock ishte duke folur në emisionin e mëngjesit “Good Morning Britain”. Ministri tha se këto zhvillime e bënë “ të ndihej krenar që është britanik”.

Vendet në mbarë botën po nxitojnë të sigurojnë vaksinën kundër koronavirusit. Britania mori të dielën 800,000 doza vaksine nga Pfizer/BioNTech, sasia e parë e totalit prej 40 milionë vaksinash që ka blerë. Kanadaja njoftoi po ashtu se do të merrte dozat e para të së njëjtës vaksinë në fund të dhjetorit e 3 milionë të tjera, vitin e ardhshëm.

Top Channel