I druhej “biskotës” së Realit të Madridit, por zhgënjeu sërish vetë. Interi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Shakhtar Donetsk në sfidën e fundit në grup dhe i dha fund aventurës europiane, pasi mbeti e fundit në grup dhe nuk do të luajë as në Europa League.

Një traversë e Lautaro Martinez dhe disa pritje të bukura të portierit ukrainas Trubin vendosën fatin e zikaltërve mbrëmjen e sotme, të cilët ashtu si në dy vitet paraardhëse, nuk ia dalin të kalojnë fazën e grupeve.

Tregon sërish limite në Europë edhe Antonio Conte, vazhdimisht ka treguar se nuk ka marrëdhënie të mira me kompeticionin elitar për klube, teksa edhe sonte iu deshën plot 70 minuta për të kryer zëvendësimin e parë, ndonëse në pankinë kishte emra si Eriksen, Sanchez e Sensi, të cilët mund të bëjnë diferencën.

Reali i Madridit nga ana tjetër bën mjaft mirë detyrën, pasi në sfidën vendimtare ndaj gjermanëve të Borussia Monchengladbach fiton me rezultatin e pastër 2-0 dhe kualifikohet për në fazën e 1/8-ave si e para e grupit me 10 pikë.

“Los Blancos” nuk po bëjnë një sezon të mirë, por kanë treguar se sa herë që fitorja është domosdoshmëri, dinë ta marrin, pasi edhe mbrëmjen e sotme ishte sulmuesi Karim Benzema që shënoi dy herë duke vulosur suksesin.

Top Channel