Kriza mes Ukrainës dhe Polonisë thellohet, Zelensky kthen urdhrin më të lartë shtetëror pas deklaratave të presidentit polak
Policia bjelloruse ka arrestuar më shumë se 300 pjesëmarrës në demonstrata masive që kërkojnë dorëheqjen e mikut të Vladimir Putinit, presidentit Alexandar Lukashenko.
Mijëra protestues dolën përsëri në rrugë, duke u mbledhur në grupe të vogla nëpër Minsk, një taktikë e re nga kundërshtarët e qeverisë që duan ta bëjnë punën e policisë më të vështirë, raporton Associated Press.
Policia e Minskut tha se kishin arrestuar më shumë se 300 persona, ndërsa grupi i të drejtave të njeriut Vesna publikoi emrat e 189 personave të ndaluar në Minsk dhe qytete të tjera të mëdha.
Protestuesit mbanin parulla, ku mes të tjerash shkruhej: “Jepi një dhuratë bjellorusëve: Zhduku”, e cila iu drejtua Lukashenkos. Ata bërtisnin “Ne besojmë! Ne mundemi! Ne do të fitojmë!”
Të paktën katër gazetarë u arrestuan sot në Minsk dhe qytetin Grodno, deklaroi Shoqata Bjelloruse e Gazetarëve. Policia në Minsk po patrullonte rrugëve me automjete të pa shenja sot për të dalluar protestuesit, raporton AFP.
Përpara protestave në Minsk, policia ngriti topat e ujit në qendër të qytetit këtë mëngjes dhe bllokoi hyrjen në sheshet kryesore, stacionet e metrosë dhe institucionet shtetërore. Hyrja në internet me telefona mobilë është e kufizuar në të gjithë vendin.
Kreu i opozitës Svetlana Tikhanovskaya, e cila u strehua në Lituani menjëherë pas zgjedhjeve për të shmangur arrestimin, tha se çdo protestë ishte “një kujtesë që bjellorusët nuk do të dorëzohen”.
“Ne nuk do të lejojmë shkeljen e të drejtave tona ose të mbyllim sytë para krimeve,” tha Tikhanovskaya, e cila u bë rivalja kryesore e Lukashenkos në zgjedhjet presidenciale pas arrestimit të figurave të tjera të shquara të opozitës.
Bjellorusia është goditur nga një krizë politike që nga zgjedhjet presidenciale më 9 gusht, kur filluan protestat masive antiqeveritare në të gjithë vendin, iniciuar nga rezultatet zyrtare të votimit, sipas të cilave Lukashenko fitoi më shumë se 80 për qind të votave. Kundërshtarët e Lukashenkos pretendojnë se zgjedhjet ishin vjedhur.
Me gjithë përpjekjet e autoriteteve për të shuar demonstratat duke arrestuar dhe shtypur demonstruesit dhe aktivistët, protestat masive nuk u shuan as pas më shumë se tre muaj e gjysmë. Protestat më masive ndodhin të dielën, kur dhjetëra- mijëra demonstrues dalin në rrugë. Një javë kishte edhe 200,000 njerëz.
Që nga fillimi i demonstratave në gusht, të paktën katër persona kanë vdekur ose në protestë ose pas arrestimit. Më shumë se 20,000 protestues u arrestuan, nga të cilët, sipas grupeve të të drejtave të njeriut, mijëra u rrahën.
Top Channel