Trump nuk dorëzohet/ Mbledh mbi 207 milionë dollarë për betejat ligjore të zgjedhjeve

05/12/2020 01:58
Donald Trump dhe Joe Biden

Stafi i fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Komiteti Kombëtar Republikan thonë se kanë mbledhur 207.5 milion dollarë që prej zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Ndërkohë, që nga tetori duke përfshirë këtu dhe javët përpara votimit për presidencialet amerikane, kampi i Trump llogaritet që të ketë grumbulluar gjithsej gati gjysmë miliard dollarë. Këto para do të përdoren për financimin e sfidave ligjore ndaj fitores së demokratit Joe Biden.

Trump ka refuzuar ta pranojë humbjen dhe vazhdon të pretendojë se triumfi i Bidenit ishte rezultat i mashtrimit. Ndërkohë, po gjatë të njëjtës periudhë, fushata e Biden ka mbledhur nga ana e saj 112 milion dollarë, sipas të dhënavë te Komisionit Federal të Zgjedhjeve.

Menaxheri i fushatës së Trump, Bill Stepien, tha se mbledhja e fondeve “e vendos Trumpin në pozicionin që të vazhdojë luftën për pastrimin e procesit të korruptuar zgjedhor në shumë zona të vendit”. Përpjekjet për grumbullimin e fondeve post-elektorale përfshinë edhe emaile të dërguara mbështetësve, në të cilat i kërkohej atyre të të kontribuojnë në një “Fond Zyrtar të Mbrojtjes së Zgjedhjeve” për të “mbrojtur rezultatet dhe për të vazhduar luftën edhe pas Ditës së Zgjedhjeve”.

Tentativat e Donald Trump për të përmbysur humbjen në zgjedhjet presidenciale duket gjithmonë e më të kota sipas ekspertëve, pasi gjykatat po i godasin njërën pas tjetrës sfidat e tij ligjore, ndërsa shtetet janë duke certifikuar rezultatet e tyre.

Top Channel