Në Selanik s’ka përmirësim/ Vijon të jetë vatra më e nxehtë e Covid-19 në Greqi

05/12/2020 01:36

Për të dytën ditë rrjesht numri i rasteve ditore të të prekurve në Greqi ka qëndruar poshtë shifrës 2000. Konkretisht në 24 orët e fundit janë regjistruar 1667 raste me koronavirus dhe numri i përgjithshëm i tyre prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 113,185.

Ndërkohë përsëri numri i viktimave mbetet i lartë. Me 98 personat që kanë humbur jetën gjatë ditës së premte, në total numri i të vdekurve nga Covid-19 ka shkuar në 2804.

Gjithashtu vazhdon ende të jetë tepër i lartë numri i personave që trajtohen në terapi intensive, të paktën 612. Specialistët ndërkohë janë tepër të shqetësuar për gjendjen në Selanik që nuk po jep asnjë shenjë përmirësimi sa i përket numrit të rasteve ditore, me 416 të prekur në 24 orët e fundit, duke mbetur vatra më e nxehtë e shpërndarjes së virusit, i ndjekur nga Athina me 367 të infektuar të rinj.

Është karakteristike fakti që 86,1% e mbi 18000 rasteve aktive që specialistët vlerësojnë se janë në të gjithë vendin, ndodhen në vetëm 5 periferi, ndërsa më shumë se gjysma e tyre ndodhet në periferinë e Maqedonisë qëndrore me qendër Selanikun.

Por po aq shqetësuese është edhe gjendja e spitaleve të këtij qyteti apo edhe të qyteteve fqinje në Greqinë e Veriut. Ndërsa kapaciteti i shtretërve të terapisë intensive në Athinë ka shkuar në 79%, në Selanik është në 94%. Gjithashtu nga 4000 pacientë që trajtohen në spitalet e gjithë vendit me koronavirus, gati 1500 janë të shtruar vetëm në spitalet publike të Selanikut.

Top Channel