Të paktën 10 të vdekur e 30 të plagosur teksa autobuzi i pushuesve bie nga ura në Brazil

04/12/2020 20:52

Të paktën 10 vetë kanë vdekur dhe disa dhjetra janë plagosur kur një autobuz pushuesish ka rënë nga një mbikalim 15 metra i lartë, mbi binarët hekurudhorë në Brazil.

Incidenti tragjik ndodhi sot pasdite në kalimin “Ponte Torta”, in João Monlevade, në lindje të vendit.

Policia federale e hekurudhave tha se 10 njerëz janë tashmë të vdekur nga tragjedia.

Aksidenti ndodhi në shtetin piktoresk të Minas Gerais, që është mjaft i frekuentuar nga turistët.

Autobuzi i mbushur me turistë, u përplas me barrierat anësore të mbikalimit, duke i thyer ato dhunshëm e duke rënë në binarët hekurudhorë poshtë tyre.

Ambulanca të shumta dhe grupe shpëtimi kishin ardhur në vendngjarje pas dhënies së alarmit Një përfaqësues i grupeve të shpëtimit tha: “Shumë mjete shpëtimi dhe ambulanca kanë ardhur në ndihmë të viktimave. Tashmë vështirësia qëndron në perballimin e të plagosurve nga sistemi mjekësor lokal”.

Ende nuk dihet se nga vinte autobuzi apo cili ishte destinacioni i tij. Policia tha se prioriteti aktualisht është ndihma për viktimat, ndërsa shtonin se në aksident duket se ishte përfshirë dhe një kamion.

Në pamjet e postuara në mediat sociale shihej vetëm autobuzi i rrëzuar mbi binarë. Ngjarja eshte ne zhvillim.

Top Channel