Sekretari Pompeo, Irani i dëshpëruar për rifillimin e negociatave

04/12/2020 22:48

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të premten se Irani po sugjeron në mënyrë të “dëshpëruar” se është i etur për të rifilluar negociatat për të arritur lehtësimin e sanksioneve.

Sekretari Pompeo, i cili nuk dha hollësi se si do t’i përgjigjeshin Shtetet e Bashkuara kthimit të Iranit në tryezën e bisedimeve, i bëri komentet virtualisht gjatë konferencës vjetore të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) në Bahrein, që përqendrohet në sfidat e sigurisë rajonale.

ShBA-të kanë vendosur sanksione ekonomike të ashpra ndaj Iranit për t’i bërë presion që të negociojë kufizime më të rrepta të programit të tij bërthamor.

Presidenti Trump duke firmosur sanksione ndaj Iranit
Presidenti Trump duke firmosur sanksione ndaj Iranit

Sanksionet u vendosën pasi presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018, duke shkaktuar përkeqësimin e marrëdhënieve midis dy palëve.

“Ne e dimë që fushata jonë po funksionon sepse tani iranianët po sinjalizojnë dëshpërimisht gatishmërinë e tyre për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve për të lehtësuar sanksionet,” tha zoti Pompeo.

Irani nuk u përgjigj menjëherë deklaratave të zotit Pompeo.

Këshilli i Gardianëve, një organ kushtetues, miratoi një ligj në fillim të kësaj jave që do të ndalonte lejimin e inspektimeve të Kombeve të Bashkuara në objektet bërthamore të vendit nëse nuk lehtësohen sanksionet e naftës dhe bankave.

Ligji u jep vendeve evropiane, Rusisë dhe Kinës dy muaj kohë për të lehtësuar sanksionet mbi sektorin e saj të energjisë dhe për të rivendosur hyrjen e saj në sistemin bankar global.

Këshilli i Gardianëve e miratoi ligjin një javë pas vrasjes së shkencëtarit të lartë bërthamor të Iranit, Mohsen Fakhrizadeh./VOA/

Top Channel