‘Kaktusi i Djallit’/ Specia parazitare del jashtë kontrolli në rezervatet natyrore në Kenia

04/12/2020 21:54

Një elefant i uritur kërkon për ushqim në rezervatin e Laikipia në Kenia, derisa dallon një ushqim të ëmbël, por gjithsesi problematik, frutin e një kaktusi që po përhapet jashtë kontrolli.

Kafsha e mbrojtur ndalon dhe ha frutin, por bashkë me të dhe gjembat e mprehtë që i mbeten në gojë, në stomak apo dhe në zorrë.

Kjo u shkakton kafshëve dhimbje ne rastin me te mire, por përhapja e gjerë e species parazitare po i shtyn elefantët gjithnjë e më afër vendbanimeve njerëzore, duke nisur konfliktin me ta.

Opuntia, ose e njohura ndryshe ‘dardha me gjemba’, është sjellë në Kenia nga kolonizatorët britanikë në vitet 1940, për t’u përdorur si ‘gardh natyror’, por tashmë po rritet jashtë kontrolli duke dëmtuar elefantët dhe specie të tjera të botës së egër, madje duke pushtuar fermat dhe tokat bujqësore.

Autoritetet dhe vendasit kanë nisur luftën e tyre prej vitesh kundër kaktusit duke përdorur hanxharë, ekskavatorë apo dhe insekte që ushqehen me kaktusin.

Por tashmë atyre po u vjen në ndihmë teknologjia e biotretjes, e dronëve dhe aplikacioneve.

Kaktusi parazitar shpërndahet më tej nga zogjtë dhe kafshët, si elefantët apo majmunët babunë, të cilët hanë frytet dhe shpërndajnë farat e tyre.

Autoritetet thonë tashmë se zona do të vihet nën kontroll me mjete biologjike, siç është lëshimi i insekteve “kokineale” që ushqehen me kaktusin, duke e zhdukur atë.

Ata thonë se në fillim të viteve 1900, një zonë prej 40,000 kilometra katorë në Australi ishte pushtuar nga opuntia, para se të vihej nën kontroll me anë të insekteve.

Teksa probolemi merret gjithnjë e më seriozisht, të tjerë flasin për mënyra të përdorimit të bimës për prodhimin e biogazit.

“Pjesë e kuadrit të eliminimit mekanik është istalimi i ‘bio-tretësave’ të cilët krijojnë biogazin”, tha Tom Silvester, kreu i grupit të botës së egër Loisaba Conservancy, në veri të Laikipia.

Silvester thotë se biogazi i perftuar do të përdoret për gatim në kuzhinën e organizatës. “Kjo do të konsumonte  600 kilogramë opuntia në ditë, për të gatuar për 20 deri në 30 burra,” shton ai.

Një tjetër mjet i luftës ndaj bimës parazitare është krijimi i një aplikacioni dixhital për hartimin e zonave të infektuara, me të cilin autoritetet kërkojne te eliminojne nje problem qe prek te gjithe ekosistemin ne Laikipia. (CNN)

FOTO GALERI
1/11

Top Channel